RCC kërkon reforma konkrete për tregun e punës në Ballkanin Perëndimor

Nga D. V.
438 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 maj Zhurnal.mk – Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, ka marrë pjesë në konferencën “Ballkani Perëndimor: Avancimi i Punësimit dhe Politikave Sociale së Bashku”, e mbajtur në Berlin në kuadër të Procesi i Berlinit.

Konferenca u organizua nga Ministria Federale e Punës dhe Çështjeve Sociale e Gjermanisë dhe kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e punësimit dhe politikave sociale në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij gjatë panelit “Promovimi i Punësimit: Strategji Efektive për Tregje Pune të Qëndrueshme dhe Gjithëpërfshirëse”, Kapetanoviç theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të përbashkëta në tregun e punës, si mungesa e aftësive, informaliteti, papunësia e të rinjve dhe presionet demografike.

“Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, tregjet e punës përballen me rrethana të ndryshme, por shumë nga sfidat strukturore janë të përbashkëta. Mesatarisht, normat e punësimit dhe aktivitetit mbeten dukshëm nën nivelet e Bashkimit Evropian, papunësia e të rinjve dhe normat NEET vazhdojnë të jenë të larta, pjesëmarrja në mësimin gjatë gjithë jetës mbetet e kufizuar, ndërsa informaliteti vazhdon të dobësojë produktivitetin, të ardhurat publike dhe qasjen në mbrojtje sociale. Për këtë arsye, bashkëpunimi rajonal nuk është një punë shtesë, por një domosdoshmëri praktike. Procesi i Berlinit jep drejtimin politik, Plani i Punës përcakton prioritetet konkrete, ndërsa roli i RCC-së është të ndihmojë në zbatimin e tyre përmes analizave, shkëmbimit të përvojave, monitorimit dhe mjeteve praktike që forcojnë institucionet dhe sjellin rezultate për qytetarët,” tha Kapetanoviç.

Kapetanoviç shtoi se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për adresimin e këtyre problemeve dhe se Procesi i Berlinit ofron drejtimin politik, ndërsa RCC ndihmon në zbatimin praktik të prioriteteve përmes analizave dhe shkëmbimit të përvojave.

Ai foli edhe për rolin e Platformës për Punësim dhe Çështje Sociale (ESAP), e cila mbështet vendet e rajonit në harmonizimin me standardet e Bashkimit Evropian dhe në luftimin e punës së padeklaruar.

Konferenca shënoi gjithashtu prezantimin zyrtar të Planit të Punës të Procesit të Berlinit për Punësim dhe Politikë Sociale, i cili synon forcimin e bashkëpunimit rajonal në fusha si mobiliteti i fuqisë punëtore, zhvillimi i aftësive dhe modernizimi i shërbimeve të punësimit.

“Askush tjetër nuk do të ndërtojë tregje pune të qëndrueshëm për Ballkanin Perëndimor përveç autoriteteve të rajonit, duke punuar së bashku dhe për të mirën e qytetarëve të tyre”, përfundoi Kapetanoviç.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër