Me pseudonimin “Hello Halil” shqiptari kapet duke i shitur detergjent në vend të drogës një hetuesi policor në Zvicër

Nga D. V.
274 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 maj Zhurnal.mk – Sipas një raportimi të fundit nga gazeta “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ), një shqiptar 28-vjeçar është dënuar nga drejtësia zvicerane për tentativë mashtrimi, pasi u përpoq t’i shiste detergjent rrobash një hetuesi të infiltruar të policisë, duke e paraqitur atë si kokainë.

Ngjarja ka ndodhur më 2 janar në stacionin qendror të trenit në Zürich. Hetuesi i policisë kishte rënë në kontakt me të akuzuarin përmes një profili në Facebook me emrin “Hello Halil”.

Sipas urdhrit penal të Prokurorisë Zürich-Limmat, të dy palët kishin rënë dakord për shitblerjen e 50 gramëve kokainë për një shumë prej 2400 frangash zvicerane.

Në orën 20:25, personi u takua me agjentin e policisë afër një binari të stacionit të trenit. Ai i dorëzoi hetuesit një çorape ngjyrë hiri, brenda së cilës ndodhej një qese plastike e mbyllur mirë, duke pohuar se ishte lënda narkotike e porositur.

Meqenëse hetuesi nuk mund ta hapte paketimin në vendin e ngjarjes për ta verifikuar, ai i kërkoi shitësit ta bënte këtë, por ky i fundit refuzoi.

Pas arrestimit dhe kontrollit të substancës, rezultoi se brenda qeses nuk kishte kokainë, por detergjent. I akuzuari, i cili nuk rezulton me vendbanim të përhershëm në Zvicër, u dërgua në mbajtje për dy ditë.

NZZ bën të ditur se prokuroria nuk e ka dënuar 28-vjeçarin për vepra penale që lidhen me narkotikët, por për tentativë mashtrimi.

Arsyetimi ligjor bazohet në faktin se i akuzuari ka shfrytëzuar besimin e blerësit për të përfituar në mënyrë të paligjshme një shumë parash, duke ofruar një produkt të rremë që blerësi nuk mund ta kontrollonte menjëherë.

Dënimi i shqiptuar është një gjobë prej 1200 franga, plus 800 franga shpenzimet e procedurës gjyqësore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër