Zelensky: Rritja e rrezes së veprimit të armëve ukrainase po ndryshon rrjedhën e luftës

Nga D. V.
1,385 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiev, 18 maj, Zhurnal.mk – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi dje në mbrëmje, se rritja e rrezes së veprimit të armëve më të fundit ukrainase, po ndryshon ndjeshëm rrjedhën e luftës katërvjeçare me Rusinë.

Në fjalimin, presidenti ukrainas theksoi efektin e sulmeve të fundit ndaj Moskës dhe objektivave të tjera brenda territorit rus.

“Distanca deri te objektivat këtë herë ishte mbi 500 kilometra, dhe kjo është e rëndësishme pasi, rajoni i Moskës ka më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore ruse”, tha Zelensky.

“Por rritja e rrezes së veprimit të armëve ukrainase, tashmë po e tejkalon këtë”, shtoi ai.

Sipas autoriteteve ruse, të paktën tre persona humbën jetën pranë Moskës gjatë kundërsulmeve masive ukrainase – me më shumë se 100 dronë gjatë natës.

Guvernatori i rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov, raportoi gjithashtu pesë të plagosur.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin, njoftoi se mbi 120 dronë ishin interceptuar brenda 24 orëve vetëm mbi kryeqytet.

Kievi deklaroi se këto sulme ishin një përgjigje ndaj viteve të sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj objektivave civile në Ukrainë.

Zelensky tha se rusët tashmë duhet të shqetësohen për rafineritë e tyre, objektet e naftës dhe ndërmarrjet – dhe  jo për mënyrën se si të shkatërrojnë jetën e popujve të tjerë.

“Kapacitetet tona me rreze të gjatë po e ndryshojnë ndjeshëm situatën – dhe, në mënyrë më të gjerë, perceptimin e botës për luftën e Rusisë”, përfundoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër