San Diego, 19 maj, Zhurnal.mk – Pesë persona, përfshirë dy autorë të dyshuar, humbën jetën dje pas të shtënave me armë zjarri në një qendër islame në qytetin amerikan të San Diegos, njoftoi policia lokale.
Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Wahl deklaroi gjatë një konference për shtyp se nuk kishte më kërcënim të mëtejshëm për publikun.
“Sipas hetimeve, të dy të dyshuarit në këtë rast kanë humbur jetën”, tha Wahl, duke shtuar se bëhet fjalë për dy meshkuj të moshës 17 dhe 19 vjeç, të cilët u gjetën të pajetë brenda një automjeti në parkimin e qendrës.
Autoritetet dyshojnë se ata i kanë dhënë fund jetës së tyre.
Ai konfirmoi gjithashtu se tre të rritur u gjetën të vdekur brenda qendrës islame, duke theksuar se të gjithë fëmijët ndodheshin të sigurt. Kompleksi përfshin një xhami dhe një shkollë islame.
Wahl tha se, për shkak të faktit që ngjarja ndodhi në një qendër islame, autoritetet po e trajtojnë rastin si një krim të mundshëm urrejtjeje.
Policia bëri të ditur se një prej viktimave ishte roje sigurie i qendrës, ndërsa sipas mediave amerikane, dy viktimat e tjera ishin punonjës të institucionit.
Forcat e rendit ndërhynë me një operacion të gjerë pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri, pas thirrjes së parë të marrë në orën 11:43 sipas kohës lokale.
Pamjet ajrore nga helikopterët treguan efektivë të pajisur me mjete mbrojtëse duke hyrë në ndërtesë, ndërsa persona të shumtë, përfshirë edhe shumë fëmijë, u larguan nga objekti nën mbrojtjen e policisë.
