BDI: Nuk nevojitet zgjidhje e re për provimin e jurisprudencës, por zbatim i Ligjit për Gjuhët

Nga B.M
452 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 Maj, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj deklaratave të VMRO-DPMNE lidhur me kërkimin e një “zgjidhjeje ligjore” për provimin e jurisprudencës, duke vlerësuar se kjo paraqet një përpjekje për anashkalimin dhe sabotimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Nga BDI thonë se problemi nuk qëndron te mungesa e një zgjidhjeje ligjore, pasi sipas tyre zgjidhja tashmë ekziston në vetë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht në nenin 23.

Sipas partisë, ky nen përcakton qartë se të gjitha ligjet e tjera duhet të harmonizohen me Ligjin për Gjuhët brenda 12 muajve nga hyrja e tij në fuqi, çka nënkupton se nuk nevojitet një zgjidhje e re, por vetëm zbatimi i dispozitave ekzistuese ligjore.

BDI vlerëson se çdo përpjekje për të kërkuar zgjidhje alternative ose paralele jashtë nenit 23 përbën goditje direkte ndaj parimit të universalitetit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe tentativë për ta reduktuar atë në zbatim selektiv dhe të kufizuar.

“Nuk do të lejojmë asnjë interpretim apo ndërhyrje ligjore me të cilën Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të vihej në pozitë të nënshtruar ndaj ligjeve të tjera apo të hapej rruga për zbatim selektiv të tij”, thuhet në reagimin e partisë.

Nga BDI theksojnë se respektimi i Ligjit për Gjuhët nuk është çështje e vullnetit politik, por obligim kushtetues dhe ligjor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër