Shkup, 19 maj, Zhurnal.mk – Njëri nga krerët e VLEN, Izet Mexhiti, ka ndarë në rrjetet sociale emocionet dhe krenarinë për maturimin e djalit të tij, Rronit.
Në një postim publik, Mexhiti shkruan se po përjeton momente krenarie, emocionesh dhe gëzimi, duke reflektuar për kalimin e kohës dhe rritjen e fëmijëve.
“Rroni sonte u bë maturant. Sa shpejt po ikën koha. Dhe këtë e kuptojmë më së miri kur i shohim fëmijët tanë sa shumë janë rritur dhe si, hap pas hapi, po i kalojnë etapat më të rëndësishme të jetës”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka kujtuar fillimet e djalit të tij në shkollë, duke theksuar se tashmë po mbyllet një kapitull i rëndësishëm dhe po nis një rrugëtim i ri drejt jetës studentore.
“Urime djali im për maturën! Uroj që kjo natë të mbetet një kujtim i bukur dhe një moment që shënon fillimin e shumë sukseseve, arritjeve dhe gëzimeve në jetën tënde”, thuhet më tej në postimin e tij.
Mexhiti ka uruar gjithashtu edhe të gjithë maturantët e tjerë, duke u dëshiruar suksese, realizim të ëndrrave dhe një të ardhme të ndritur.
