Shkup, 20 maj, Zhurnal.mk – VLEN ka reaguar ashpër ndaj Bashkimi Demokratik për Integrim, duke e akuzuar se për vite me radhë ka lënë të pazgjidhura çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, ndërsa tani, sipas tyre, po tenton të përfitojë politikisht nga protestat studentore.
Në reagimin e VLEN-it thuhet se përpjekjet e BDI-së për mobilizim politik kanë dështuar, duke përmendur protestat me tenda, letrat drejtuar faktorit ndërkombëtar dhe nismat politike të opozitës.
“BDI-së i shkoi huq edhe një tentim. Asgjë nuk po u shkon për dore. Tentuan të shpëlahen në kurriz të studentëve, por edhe kjo u dështoi”, thuhet në reagim, përcjell Zhurnal. mk
Nga VLEN theksojnë se kërkesa e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është legjitime dhe se qeveria po punon për një zgjidhje më të gjerë që nuk do të kufizohet vetëm në këtë provim.
“Studentët kërkuan provimin e jurisprudencës në shqip, një mundësi që deri sot nuk ka ekzistuar. VLEN iu qas këtij problemi në rrënjë. Prandaj, zgjidhja nuk do të ndalet vetëm te jurisprudenca. Të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe”, deklarojnë nga VLEN.
Koalicioni qeveritar thekson se tashmë janë zgjidhur disa çështje që, sipas tyre, kishin mbetur peng për vite të tëra, duke përmendur provimet profesionale mjekësore, statusin e edukatoreve në çerdhe, zgjidhjen për Medresenë dhe procesin e largimit të kazinove nga zonat e banuara.
“Në momentin kur VLEN merr një problem në dorë, ai nuk mbetet në sirtar. Problemet që BDI i la peng me vite, VLEN po i mbyll një nga një”, thuhet më tej në reagim.
Nga VLEN vlerësojnë se BDI gjatë dy dekadave në pushtet ka lënë pas çështje të pazgjidhura ose gjysmake, ndërsa shtojnë se “agallëku politik përfundoi me BDI-në në opozitë”.
