Pekin, 20 maj, Zhurnal.mk – Të mërkurën paradite, presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pekin me homologun e tij rus Vladimir Putin, që ndodhet për një vizitë shtetërore në Kinë. Gjatë bisedimeve, të dy krerët e shtetit ranë dakord që të zgjasin Traktatin e Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Miqësor midis Kinës dhe Rusisë.
Dy udhëheqësit zhvilluan me radhë bisedime në sferë të ngushtë dhe në sferë të gjerë.
Presidenti Xi Jinping vuri në dukje që sivjet është 30-vjetori i krijimit të partneritetit strategjik të bashkërendimit midis Kinës e Rusisë dhe 25-vjetori i nënshkrimit të Traktatit të Bashkëpunimit Miqësor dhe Fqinjësisë së Mirë Kinë-Rusi. Arsyeja që marrëdhëniet kino-ruse kanë arritur të zhvillohen në nivelin e sotëm është se të dy vendet kanë thelluar pandërprerë besimin e ndërsjellë politik dhe bashkërendimin strategjik, kanë zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, kanë mbrojtur bashkërisht drejtësinë ndërkombëtare dhe kanë nxitur krijimin e bashkësisë me të ardhme të përbashkët të njerëzimit, u shpreh presidenti Xi. Më tej ai theksoi që, në situatën e tanishme ndërkombëtare me ndryshime e trazira, pavarësisht nga turbullirat dhe regresi prej hegjemonisë dhe unilateralizmit, synimi për paqen, zhvillimin e bashkëpunimin vijon të mbetet vullneti i popujve dhe prirja e historisë. Si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dy vende të mëdha e të rëndësishme, Kina e Rusia, duke u nisur nga largpamësia strategjike, duhet të nxisin bashkërendimin e gjithanshëm strategjik me cilësi më të lartë, në ndihmë të zhvillimit e lulëzimit të të dy vendeve dhe të ndërtimit të një sistemi të qeverisjes globale më të drejtë dhe më të arsyeshme.
Xi Jinping-u u shpreh më tej që Kina e Rusia kanë ngulur këmbë në zhvillimin e marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik për epokën e re në bazë të barazisë, respektit të ndërsjellë, besimit dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta.
Njëkohësisht, të dy palët duhet të forcojnë shkëmbimet e bashkëpunimin në arsim, kulturë, turizëm, sporte, kinematografi etj., të thellojnë më tej komunikimin e bashkërendimin në kuadrin e OKB-së, Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, BRICS-it, APEC-ut etj. dhe të mbrojnë me vendosmëri rendin ndërkombëtar të pasluftës dhe autoritetin e ligjit ndërkombëtar, duke bashkuar vendet e Jugut Global për të promovuar reformën e sistemit të qeverisjes globale.

Nga ana e tij, presidenti Vladimir Putin u shpreh që, me përpjekjet e përbashkëta, marrëdhëniet Rusi-Kinë kanë arritur në një nivel të lartë si kurrë më parë. Kontaktet e nivelit të lartë janë të ngushta, besimi i ndërsjellë politik është i fortë, tregtia dypalëshe është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe bashkëpunimi në fushat e transportit, logjistikës, shkencës e teknologjisë etj. është thelluar dita-ditës. Shkëmbimet njerëzore kanë ruajtur një prirje të mirë zhvillimi dhe, pas organizimit me sukses të Vitit të Kulturës Rusi-Kinë, do të nisë Viti i Arsimit Rusi-Kinë. Marrëdhëniet Rusi-Kinë janë bërë një shembull i bashkëpunimit të gjithanshëm strategjik. Traktati i Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimi ruso-kinez është një faktor i rëndësishëm qëndrueshmërie në situatën e paqëndrueshme, tha Putini. Sipas tij, Rusia është e gatshme të forcojë bashkëpunimin shumëpalësh me Kinën, duke e mbështetur palën kineze të organizojë me sukses takimin jozyrtar të udhëheqësve të APEC-ut, për të forcuar së bashku rolin e OBSh-së dhe mekanizmin e BRICS-it, për të mbrojtur autoritetin e OKB-së, për të promovuar larminë e qytetërimeve dhe për të nxitur një rend ndërkombëtar më të drejtë e të barabartë.
Dy krerët e shtetit shkëmbyen mendime edhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale.
Pas bisedimeve, dy krerët e shtetit nënshkruan Deklaratën e Përbashkët Kinë-Rusi për Forcimin e Mëtejshëm të Bashkëpunimit të Gjithanshëm Strategjik e të Fqinjësisë së Mirë, dhe dëshmuan nënshkrimin e 20 marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat ekonomiko-tregtare, arsimore, tekniko-shkencore etj.
Gjatë vizitës së presidentit Putin, dy palët publikuan Deklaratën e Përbashkët Kinë-Rusi për Promovimin e Një Bote Shumëpolare dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Tipit të Ri, duke arritur 20 marrëveshje të tjera bashkëpunimi në fushat e tjera.
Të dy udhëheqësit u takuan gjithashtu së bashku me gazetarët.

