Gashi: Kuvendi mbetet partner i përkushtuar në reformat evropiane

Nga D. V.
393 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 20 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se integrimi evropian i vendit mbetet orientim strategjik i palëkundur dhe pa alternativë, gjatë pjesëmarrjes së tij në ngjarjen për shënimin e Ditës së Evropës.

Ngjarja u organizua nga Lëvizja Europiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Fondacioni Konrad Adenauer dhe Qendra Wilfried Martens për Studime Europiane.

“Në fjalën time theksova se integrimi europian i Maqedonisë së Veriut mbetet orientimi ynë strategjik, i palëkundur dhe pa alternativë”, ka deklaruar Gashi.

Ai vlerësoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian tashmë përfaqëson jo vetëm një proces politik, por edhe një nevojë të rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit.

“Sot, më shumë se kurrë, zgjerimi i Bashkimit Europian nuk është vetëm çështje politike, por domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim në sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit europian”, u shpreh kryeparlamentari.

Gashi theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së besueshmërisë së procesit integrues, duke shtuar se Kuvendi do të mbetet partner aktiv në avancimin e reformave dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Nënvizova se mbetet thelbësore që procesi i integrimit të ruajë besueshmërinë e tij, ndërsa konfirmova se Kuvendi do të vazhdojë të jetë partner i përkushtuar në avancimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe realizimin e aspiratës sonë europiane”, ka theksuar Gashi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër