Meloni: Marrëdhënia Itali-Indi në nivelin e një partneriteti të veçantë strategjik

Nga D. V.
315 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Romë, 20 maj, Zhurnal.mk – Kryeministrja italiane Giorgia Meloni njoftoi sot se Italia dhe India kanë vendosur të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe në nivelin e një partneriteti të veçantë strategjik, duke e cilësuar takimin e sotëm si një moment historik për dy vendet.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me kryeministrin indian Narendra Modi, Meloni tha se kjo ishte një ditë historike për raportet mes dy vendeve.

“Kjo është një ditë që nuk e konsideroj aspak të tepruar ta quaj “historike” për marrëdhëniet mes kombeve tona. Miku im, Narendra Modi drejton Indinë pa ndërprerje që nga viti 2014, por kjo është vizita e tij e parë në Itali”, deklaroi ajo.

Meloni theksoi se vizita e fundit dypalëshe e një kryeministri indian në Itali, daton në vitin 2000, duke shtuar se takimi i sotëm shënon mbylljen e një boshllëku të gjatë diplomatik.

“Sot, së bashku, po e mbushim këtë boshllëk. Kjo vizitë përfaqëson kulmin e një rruge të ndërtuar gjatë këtyre viteve për të forcuar lidhjet tona dhe për t’i çuar ato në nivelin më të lartë të parë ndonjëherë”, tha Meloni.

Kryeministri indian, Narendra Modi zhvilloi sot bisedime me homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, gjatë një takimi në Romë, ku në fokus ishin bashkëpunimi në tregti, mbrojtje, energji të pastër dhe teknologji.

Përpara takimit dypalësh, Modi u prit nga presidenti italian, Sergio Mattarella, me të cilin diskutoi marrëdhëniet mes Indisë dhe Italisë, përfshirë tregtinë, investimet dhe lidhjet kulturore.

Në takim u trajtua gjithashtu bashkëpunimi në fusha si inteligjenca artificiale, mineralet kritike, hapësira dhe energjia bërthamore.

Gjatë bisedimeve me Melonin, kryeministri indian Modi shoqërohej nga ministri i Jashtëm indian S. Jaishankar, këshilltari për sigurinë kombëtare Ajit Doval, sekretari i Ministrisë së Jashtme për Perëndimin Sibi George, sekretari i Jashtëm Vikram Misri dhe zyrtarë të tjerë të lartë diplomatikë.

Një ditë më parë, kryeministri indian mbërriti në Romë, ku zhvilloi një darkë pune me Melonin dhe vizitoi Koloseun.

Para se të mbërrinte në Itali, Modi ndodhej në Oslo, ku mori pjesë në samitin e 3-të Indi-Nordik.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër