Tiranë, 20 maj, Zhurnal.mk – Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në konferencën e 5-të ndërkombëtare ministrore “No Money for Terror”, e cila u mbajt në Paris, Francë, nën kujdesin e veçantë të ministrit për Ekonominë, Financat dhe Sovranitetin Industrial, Energjetik e Dixhital të Francës, Roland Lescure.
Konferenca u zhvillua në kuadër të presidencës franceze të G7 për vitin 2026, ndërsa i pranishëm ishte dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Gjatë një deklarate pas punimeve të konferencës, ministri Malaj shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të qenë një partnere aktive në përpjekjet globale në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe mbrojtjen e integritetit të sistemeve financiare.
Shqipëria, tha Malaj, është sot një zë aktiv dhe një partner i besueshëm, ndërsa po merr një sërë masash në luftën luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, të cilat janë në linjë me qasjen dhe standardet ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, ministri theksoi se vendi po investon në rritjen e kapaciteteve institucionale, në modernizimin e sistemeve të monitorimit financiar dhe forcimin e analizës së inteligjencës financiare, sikurse po zgjeron ekspertizën profesionale në fusha të reja si kripto-asetet apo dhe financat digjitale.
Nga ana tjetër, theksoi ai, vendi po vijon me përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Europian.
Ministri nënvizoi se, përballë sfidave dhe transformimeve të mëdha që sjell teknologjia, kërkohet më shumë bashkëpunim ndërkombëtar, një partneritet më i fortë dhe investime të vazhdueshme në sisteme më të forta.
Konferenca “No Money for Terror” përbën një forum të nivelit të lartë, të iniciuar nga qeveria franceze që prej vitit 2018 me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të bllokuar plotësisht burimet financiare të grupeve terroriste globalisht.
Diskutimet këtë vit u përqendruan në parandalimin e keqpërdorimit të kriptomonedhave dhe inovacioneve teknologjike, ndërprerjen e lidhjeve financiare midis terrorizmit dhe krimit të organizuar transnacional, si dhe goditjen e strategjive të financimit që bazohen në kontrollin e territoreve.
Në përfundim të konferencës përmes një deklarate të përbashkët, u theksua angazhimi i vendeve anëtare të rrjetit global të FATF-it dhe partnerëve ndërkombëtarë për të forcuar luftën kundër financimit të terrorizmit.
U riafirmua se terrorizmi mbetet një kërcënim global që cenon sigurinë ndërkombëtare dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të garantojë që të mos ketë hapësira të sigurta për financimin e aktiviteteve terroriste, përfshirë edhe çdo formë të mbështetjes shtetërore për terrorizmin.
Pjesëmarrësit ritheksuan zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për Shtypjen e Financimit të Terrorizmit dhe rezolutave të OKB-së, si dhe vijimin e zbatimit të “Agjendës së Parisit” të miratuar në vitin 2018.
