Italia dhe Austria propozojnë modelin “hap pas hapi” për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE

Nga D. V.
551 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 20 maj, Zhurnal.mk – Pesë vende anëtare të Bashkimi Evropian – Austria, Italia, Çekia, Sllovakia dhe Sllovenia – i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të rishikojë mënyrën se si përfshin vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të bllokut, duke propozuar një model të ri anëtarësimi “hap pas hapi”, me qëllim forcimin e ndikimit gjeopolitik të BE-së dhe kufizimin e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon, raportoi “Euractiv”.

Në një dokument konfidencial, i shpërndarë mes 27 shteteve anëtare në Bruksel të premten e kaluar, pesë vendet argumentojnë se procesi i zgjerimit duhet të mbështetet me stimuj të rinj dhe më tërheqës për të ruajtur vrullin e integrimit.

“Për të ruajtur vrullin e zgjerimit dhe për të avancuar integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, thuhet në dokumentin e përbashkët të vendeve, të cilat bëjnë pjesë në një grup joformal shtetesh që mbështesin politikisht aspiratat evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tyre, “qasja e bazuar në meritë – nëse është e nevojshme, edhe hap pas hapi – në tregun e përbashkët evropian përbën një stimul të tillë”.

Kjo nënkupton që vendet kandidate të mund të përfitojnë gradualisht qasje në segmente të tregut të vetëm të BE-së, përpara anëtarësimit të plotë, sa herë që arrijnë përputhje të lartë me standardet dhe legjislacionin evropian.

Në dokument, modeli i propozuar, përshkruhet si “integrim sistematik sektorial”, që do të nënkuptonte zgjerimin e pjesëmarrjes së vendeve si Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia në programet e BE-së, në përputhje me progresin e tyre në secilin kapitull të negociatave.

Dokumenti thekson se integrimi gradual duhet të ndiqet në mënyrë aktive dhe sistematike sapo një vend kandidat të demonstrojë nivel të lartë përafrimi me “acquis” të BE-së në sektorin përkatës.

Gjithashtu, ai parasheh edhe mekanizma mbrojtës në rast se, një shtet që ka fituar qasje të privilegjuar në tregun evropian, shënon regres në reformat ose në përmbushjen e standardeve.

Mes sektorëve të rinj që propozohet të përfshihen në këtë model janë, transporti, energjia, tregu i energjisë elektrike, tregu digjital, strategjitë për konkurrueshmërinë dhe politikat për lëndët e para të rëndësishme.

Dokumenti përmend gjithashtu si shembull, marrëveshjen për lëvizshmërinë e të rinjve mes Britanisë së Madhe dhe BE-së, duke sugjeruar se një përfitim i ngjashëm mund t’u ofrohet edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Megjithatë, në aspektin e ambicies, dokumenti mbetet pas ideve të paraqitura së fundmi nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, i cili në një intervistë për “Euractiv” sugjeroi që vendet kandidate duhet të marrin status vëzhguesi, në organet e BE-së sapo të mbyllin kapitujt e negociatave.

Milan Nic, studiues i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë, e minimizoi rëndësinë e dokumentit, duke thënë se ai nuk paraqet një largim thelbësor nga konceptet e mëparshme.

“Tingëllon si një version pak më i sofistikuar i nismës së mëparshme për integrim gradual”, u shpreh ai.

Në fund të dokumentit, pesë vendet i bëjnë thirrje komisioneres se BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, që të paraqesë propozime të reja në këtë drejtim.

Sipas tyre, kjo qasje do të zgjeronte dhe forconte tregun e përbashkët, duke kontribuar në rëndësinë gjeo-ekonomike dhe autonominë strategjike të BE-së, ndërsa do t’i afronte vendet kandidate dhe do të ndihmonte në kundërvënien ndaj ndikimit të vendeve të treta.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër