Helsingborg, 22 maj, Zhurnal.mk – Aleatët e NATO-s dhe zyrtarët e mbrojtjes kanë shprehur habi, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të dërguar 5 000 trupa shtesë amerikane në Poloni, vetëm disa javë pasi kishte urdhëruar tërheqjen e 5 000 trupave nga Evropa, sipas AP.
“Është vërtet konfuze dhe jo gjithmonë e lehtë për t’u kuptuar”, deklaroi ministrja e Jashtme e Suedisë, Maria Malmer Stenergard, gjatë një takimi të homologëve të saj të NATO-s në Helsingborg, ku mori pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Edhe zyrtarë të mbrojtjes amerikane u shprehën të paqartë për ndryshimin e kursit.
“Sapo kaluam dy javët e fundit duke reaguar ndaj njoftimit të parë. As ne nuk e dimë çfarë do të thotë kjo”, tha një prej dy zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimiteti për çështje të ndjeshme ushtarake.
Në një postim në “Truth Social”, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të dërgonin 5 000 trupa shtesë në Poloni, duke e lidhur vendimin me marrëdhëniet e tij të ngushta me presidentin polak Karol Nawrocki, të cilin e kishte mbështetur në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Ndryshimi i dukshëm i qëndrimit, vjen pas disa javësh deklaratash kontradiktore nga Trump dhe administrata e tij mbi reduktimin – dhe jo zgjerimin – e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.
Aleatët e NATO-s raportohet se janë zënë në befasi, pavarësisht premtimit të Uashingtonit për koordinim lidhur me dislokimet e trupave.
Shefi më i lartë ushtarak i NATO-s, gjeneral-lejtënanti amerikan Alex Grynkewich deklaroi më herët se SHBA-ja do të mbetej plotësisht e sinkronizuar me aleatët.
Ministrat e Jashtëm të Holandës dhe Norvegjisë, e pritën me qetësi njoftimin e fundit të Trump, por theksuan se çështje të tilla duhej të trajtoheshin në mënyrë “të strukturuar”.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Latonisë, Baiba Braže, tha se aleatët e dinin që SHBA-ja po rishikonte praninë ushtarake, dhe se tani për tani nuk kishte ndryshim të pozicionimit.
Më herët gjatë këtij muaji, administrata Trump njoftoi reduktimin e pranisë ushtarake në Evropë me rreth 5 000 trupa, ndërsa zyrtarë amerikanë kishin konfirmuar se rreth 4 000 ushtarë nuk do të dislokoheshin më në Poloni.
Gjithashtu, ishte pezulluar edhe dërgimi i personelit amerikan në Gjermani – të trajnuar për përdorimin e raketave me rreze të gjatë.
Grynkewich bëri të ditur se “disa qindra” trupa të tjera do të zhvendosen në vende të tjera, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ai tha se kishte zhvilluar konsultime me shefat e mbrojtjes së Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë për të diskutuar opsionet e mundshme.
Sipas raportimeve, tensionet nisën pasi Trump reagoi ndaj deklaratave të kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili tha se SHBA-ja po “poshtërohej” nga udhëheqja iraniane dhe kritikoi mungesën e strategjisë në luftë.
Trump më pas deklaroi se SHBA-ja do të shkurtonte praninë ushtarake “me më shumë se 5 000 trupa”, ndërsa paralajmëroi gjithashtu tarifa të reja për makinat evropiane.
Gjermania është vendi prodhues më i madh i automobilëve në kontinent.
Rreth 80 000 trupa amerikane ndodhen aktualisht në Evropë. Pentagoni është i detyruar të mbajë të paktën 76 000 trupa dhe pajisje të mëdha ushtarake në kontinent, përveç rasteve kur aleatët e NATO-s konsultohen dhe përcaktohet se tërheqja është në interes të SHBA-së.
Postimi i fundit i Trump sugjeron se numri i trupave amerikane në Evropë mund të mos ndryshojë fare.
Forcat që lëviznin me rotacion nga Gjermania drejt Polonisë pritet të vazhdojnë të qëndrojnë.
Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski e mirëpriti vendimin, duke thënë se ai garanton që “prania e trupave amerikane në Poloni do të ruhet pak a shumë në nivelet e mëparshme”.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e mirëpriti lëvizjen.
Një ditë para njoftimit të Trump, ai theksoi se ishte e rëndësishme që Evropa të kujdesej më shumë për sigurinë e saj.
Takimi i NATO-s në Helsingborg të Suedisë synon përgatitjen e samitit të ardhshëm të aleancës, ku Trump pritet të takohet me homologët e tij në Turqi në muajin korrik.
