Tabaku takohet me përfaqësuesin e OSBE-së: Situata në media problematike, nevojë për pavarësi reale editoriale

Nga D. V.
194 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 maj, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u takua sot me ambasadorin Jan Braathu, përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias.

Tabaku, e cila është njëkohësisht edhe kryetare e komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, theksoi se gjatë takimit, diskutuan mbi situatën e medias dhe sfidat serioze me të cilat përballet sot liria e shprehjes në Shqipëri.

“Diskutuam mbi kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, nevojën për pavarësi reale editoriale dhe politike, si edhe rolin që mediet publike duhet të kenë në luftën kundër dezinformimit”, tha Tabaku.

“Ndamë shqetësimin për mënyrën sesi procesi i integrimit europian po përdoret shpesh si justifikim për të kaluar me shpejtësi ligje të rëndësishme, pa konsultim real dhe pa standardet e duhura demokratike”, shkruan Tabaku.

Gjatë bisedës, deputetja shprehu angazhimin e saj për reformimin e kuadrit ligjor të medias, përfshirë ligjin e ri për media si edhe nevojën për legjislacion kundër SLAPP, për të mbrojtur gazetarët dhe lirinë e medias nga presioni dhe intimidimi ligjor.

“Sot jemi në një situatë më problematike se disa vite më parë. Jo vetëm për median, por për standardet demokratike në tërësi. Shqipëria ndodhet në një udhëkryq”, theksoi Tabaku.

Sipas saj, procesi i integrimit europian nuk mund të mbetet një ushtrim burokratik apo një proces vetëm në letër.

“Ai duhet të jetë real, i prekshëm dhe i besueshëm për qytetarët. Dhe kjo kërkon institucione të lira, media të pavarura dhe standarde demokratike që zbatohen në praktikë, jo vetëm në raportet zyrtare”, theksoi Tabaku.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër