Arrestohen 27 persona, përfshirë 13 oficerë policie, në operacionin kundër grupeve kriminale

Nga D. V.
339 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Vilnius, 22 maj, Zhurnal.mk – Autoritetet në Lituani kanë ndaluar 27 persona, përfshirë 13 oficerë policie dhe roje kufitare, në një operacion të gjerë kundër grupeve kriminale – që dyshohet se kontrabandojnë mallra të ndaluara nga Bjellorusia drejt shtetit baltik – duke përdorur balona meteorologjike, njoftoi sot policia.

Të dyshuarit akuzohen se kanë bashkëpunuar me kontrabandistë bjellorusë për të organizuar skemën.

Sipas burimeve, 13 zyrtarët përballen me akuza për shpërdorim detyre. Në kuadër të operacionit janë kryer gjithsej 74 kontrolle, ndërsa numri total i të dyshuarve arrin në 49, thanë autoritetet.

Sipas policisë, grupet kriminale përdornin pajisje GPS dhe komunikime të enkriptuara, për të gjurmuar me saktësi, vendet e uljes së balonave dhe për të koordinuar aktivitetet e tyre. Mallrat e kontrabanduara më pas mblidheshin dhe shiteshin në treg.

Autoritetet theksuan se kjo veprimtari përbënte një rrezik për interesat kombëtare, ekonomike dhe të sigurisë, si dhe për aviacionin civil dhe sigurinë publike.

Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginienė e cilësoi arrestimin e më shumë se një duzine zyrtarësh si “lajm shumë të dhimbshëm për shtetin dhe shoqërinë”, ndërsa shtoi se kjo tregon se institucionet e rendit po veprojnë.

Sipas autoriteteve, që nga fundi i vitit të kaluar, balonat meteorologjike nga Bjellorusia kanë hyrë gjithnjë e më shpesh në hapësirën ajrore të Lituanisë.

Kontrabandistët i përdorin ato kryesisht për të transportuar ilegalisht cigare përtej kufirit.

Këto incidente kanë shkaktuar ndërprerje të përsëritura të trafikut ajror, duke detyruar disa herë mbylljen e aeroportit të Vilniusit.

Për shkak të situatës, Lituania është në gjendje emergjence që nga dhjetori, duke u dhënë autoriteteve dhe ushtrisë më shumë kompetenca për të reaguar shpejt ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore.

Gjithashtu, janë ashpërsuar dënimet, ku shkelësit tani përballen me burgim të menjëhershëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër