Shkup, 22 maj, Zhurnal.mk – BDI përmes një reagimi thekson se “presioni skandaloz i tipit verikorean nga VMRO-DPMNE dhe i të amnistuarit të fuqishëm Antonio Milloshoski ndaj Prokurorisë dhe drejtësisë vazhdon dhe po fundoset në dëshpërim.”
“VMRO-DPMNE ankohej për përndjekje nga LSDM dhe PSP, ndërsa sot po bën të njëjtën gjë në mënyrën më brutale dhe nga e përndjekur, u shndërrua në përndjekëse politike.
Mos ia bëj tjetrit atë që nuk dëshiron të ta bëjnë ty!
I fuqishmi Milloshoski, nga thirrjet e parullave “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, arriti deri te amnistia për krim të konfirmuar dhe për këtë arsye nuk ka kredibilitet politik, njerëzor e juridik.
VMRO të ndalojë partizimin e Prokurorisë dhe përndjekjen politike.
BDI tashmë e ka informuar të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, e cila është e skandalizuar nga presioni brutal partiak dhe porositë ndaj prokurorisë.
E inkurajojmë prokurorinë që, aty ku nuk ka vepër, nuk ka prova dhe nuk ka dëm, t’i hedhë poshtë kallëzimet penale politike për përndjekje politike dhe të mos bie nën presionin qeveritar e partiak, por të veprojë sipas ligjit”, reagon BDI.
