Tiranë, 22 maj, Zhurnal.mk – Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi shprehu sot kënaqësinë për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Japoni, duke theksuar angazhimin e Japonisë për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe diplomatik.
Në nisje të takimit mes delegacioneve, pas pritjes zyrtare që i kishte rezervuar Kryeministrit shqiptar në vizitën në Tokio, Takaichi tha se “e mirëpres me zemër vizitën e Kryeministrit Rama, sot. Jam shumë e lumtur që kam mundësinë t’Ju takoj për herë të parë”.
Kryeministrja japoneze shtoi se “Shqipëria është partnere e rëndësishme, me të cilën ndajmë vlera dhe parime të përbashkëta”.
“Ne jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme”, tha ajo.
Sipas saj, Japonia, në kuadër të Nismës së Bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor, të propozuar nga ish-kryeministri japonez, do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal në Ballkanin Perëndimor, një rajon me histori komplekse”, u shpreh Takaichi.
Gjithashtu, Takaichi e falënderoi kryeministrin Edi Rama për “mbështetjen e Shqipërisë ndaj vizionit për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”.
“Këtë muaj, në përvjetorin e dhjetë të shpalljes së këtij vizioni, ne prezantuam vizionin e përditësuar për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur. Ky vizion zhvillon më tej qasjen e mëparshme, duke vendosur autonominë dhe qëndrueshmërinë si dy elemente thelbësore, me synimin që i gjithë rajoni të bëhet së bashku më i fortë dhe më i begatë.
“Në një kohë kur siguria e Europës, Atlantikut dhe Indo-Paqësorit po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, dëshirojmë ta thellojmë edhe më tej bashkëpunimin me Shqipërinë”, tha ajo.
