Më së shumti ankesa për diskriminim ka në sektorin shtetëror për shkak të përkatësisë politike dhe etnike

Nga Xh M
1,079 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 maj Zhurnal.mk – Numri më i madh i ankesave për diskriminim lidhet me marrëdhëniet e punës, ndërsa më shpesh ato vijnë nga sektori shtetëror, ku qytetarët raportojnë diskriminim mbi baza politike dhe etnike, deklaroi Tomshiq.

“Në pjesën e avancimit në karrierë, diskriminimi më i shpeshtë është mbi baza politike. Shumica e ankesave vijnë nga sektori shtetëror, ku qytetarët theksojnë përkatësinë politike ose etnike si arsye të diskriminimit”, tha Tomshiq.

Sipas tij, rreth 50 për qind e ankesave kanë të bëjnë me marrëdhëniet e punës, ndërsa një pjesë e konsiderueshme lidhen edhe me çështje që prekin sindikatat.

“Më së shumti paraqitet diskriminimi i drejtpërdrejtë dhe ngacmimi. Diskriminimi indirekt lidhet me dispozita neutrale që mund të ndikojnë te persona të caktuar, por këtu kryesisht bëhet fjalë për diskriminim të drejtpërdrejtë”, theksoi Tomshiq.

Ai sqaroi se diskriminimi më shpesh manifestohet përmes ngacmimit në vendin e punës, transferimit në pozita më të largëta ose degradimit të punonjësve.

“Më së shumti shfaqet në forma të ngacmimit, dërgimit në vende pune larg vendbanimit ose me urdhra të caktuar ju ulin dy pozita më poshtë, apo ju detyrojnë të nënshkruani se pranoni të shkoni dy nivele më poshtë. Kjo përsëritet vazhdimisht për muaj të tërë”, tha ai.

Tomshiq foli edhe për diskriminimin ndaj grave shtatzëna, duke theksuar se problemi më shpesh paraqitet te kontratat me afat të caktuar.

“Ka punëdhënës që sapo marrin vesh se një grua dëshiron të bëhet nënë ose ka nisur procedurën, vendosin menjëherë ta ndërpresin kontratën, pa marrë parasysh nëse ai vend pune vazhdon të jetë i nevojshëm”, deklaroi Tomshiq.

Ai shtoi se për shkak të rritjes së rasteve të tilla është dhënë një rekomandim i përgjithshëm që në Ligjin e ri për Marrëdhënie Pune të parashihen mekanizma për uljen e rrezikut nga ky lloj diskriminimi.

“Gratë duhet ta planifikojnë lirshëm familjen e tyre, pa pasur frikë se do t’i humbin vendet e punës”, porositi Tomshiq.

Avramov: Dispozita e re në Ligjin për lojërat e fatit sjell rrezik për shpenzim jotransparent të parave për grupet e cenueshme

Organizatat qytetare kanë reaguar ndaj ndryshimeve të propozuara ligjore lidhur me shpërndarjen e mjeteve nga lojërat e fatit, duke paralajmëruar se mund të rrezikohen shërbimet për kategoritë e cenueshme të qytetarëve.

Atanas Avramov nga Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, në emisionin “Top Tema” në Telma, deklaroi se organizatat që punojnë me grupet e cenueshme nuk janë kundër ndryshimeve ligjore në tërësi për Ligjin për lojërat e fatit, por paralajmërojnë për pasojat e një dispozite konkrete.

“Paratë që shkojnë te organizatat qytetare nuk janë për vetë organizatat, por për shërbimet që ato ofrojnë për këto grupe të cenueshme. Këtu përfshihen mbështetja psikosociale, qendrat ditore për personat me aftësi të kufizuara dhe strehimoret për viktimat e dhunës në familje”, deklaroi Avramov.

Ai theksoi se ekziston rreziku që mjetet të shpërndahen pa kritere të qarta dhe pa garanci se do të përfundojnë te organizatat që punojnë drejtpërdrejt me qytetarët.

“Rreziku i parë është që paratë të përfundojnë për nevoja që nuk adresojnë problemet reale të grupeve të cenueshme, ndërsa momenti tjetër është shpenzimi jotransparent. Me një dispozitë kaq të përgjithshme nuk parashihet qartë se ku do të përfundojnë ato mjete”, tha Avramov.

Ai shtoi se reagimi tashmë u është dorëzuar institucioneve, pasi ligji nuk ishte publikuar në ENER, gjë që sipas tij ka kufizuar mundësinë për debat publik dhe vërejtje në kohë nga sektori qytetar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër