Beograd, 24 maj Zhurnal.mk – Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se nga protesta e studentëve të shtunën e mbështetur nga dhjetëra mijëra qytetarë, 17 policë kanë mbetur të lënduar e 47 persona janë dërguar në ambientet e Ministrisë së Brendshme, prej të cilëve një person kishte kartë identiteti diplomatike.
Përplasja me policinë filloi jo larg Parkut Pionirski, ku ishin mbledhur mbështetësit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
E nga Kina ku po zhvillon një vizitë zyrtare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do të ndalet duke i ftuar për dialog protestuesit ndërsa teksa po i përfundon mandati, Vuçiqi nuk e përjashtoi as mundësinë e dorëheqjes.
“Po, kam mbaruar, mandati po më përfundon së shpejti! Është e mundur që së shpejti të jap dorëheqje. Gënjeshtrave dhe teorive të konspiracionit nuk u vjen fundi”, deklaroi Vuçiqi.
Ai ka mohuar ekzistencën e “elementeve të infiltruar” në protesta por pretendon se janë investuar miliarda “për rrëzimin e Serbisë”.
“Njerëz, ne donim një pamje të Serbisë demokratike dhe kjo u përshtatej vetëm atyre. Gënjeshtrave dhe teorive të tyre të konspiracionit nuk u vjen fundi; një gënjeshtër ndjek tjetrën. A nuk e shihni që Jovanjica nuk përmendet më? Janë investuar miliarda euro për rrëzimin e Serbisë – në media, organizata politike dhe parapolitike, OJQ, sindikata… para të gatshme në rrugë… por pavarësisht kësaj, arritëm ta zmbrapsim atë sulm”, deklaroi Vuçiq.
Nën sloganin “Studentët fitojnë”, lëvizja studentore ftoi qytetarët nga i gjithë vendi të mblidheshin nga ora 18:00 deri në 20:00 në Sheshin Slavija në qendër të qytetit, ku më 15 mars të vitit të kaluar u mbajtën demonstratat më të mëdha antiqeveritare në historinë e re të Serbisë. Ato u nxitën nga tragjedia në Novi Sad më 1 nëntor 2024, kur nga shembja e një strehe humbën jetën 16 persona.
Ai shtoi se policinë nuk e drejton ai, por drejtori i policisë.
Daçiq theksoi se ende po rikuperohet shëndetësisht dhe se do të ushtrojë funksionet shtetërore për aq kohë sa do të mundet; nëse nuk mundet më, do të merret me diçka tjetër.
Lidhur me zgjedhjet, ai tha se gjithmonë është për zgjedhje të rregullta dhe se dihet saktësisht koha kur duhet të mbahen, duke shtuar se në disa vende as nuk ekziston mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Që nga 1 nëntori 2024 protestat vazhdojnë në Serbi, duke arritur kulmin me rreth 300 mijë pjesëmarrës më 15 mars 2025. Studentët shpresojnë që protesta e tanishme ta rigjallërojë lëvizjen dhe ta shtyjë Vuçiqin të shpallë zgjedhje të parakohshme.
