Celibashi: Komisioni i Reformës Zgjedhore të ketë prioritet depolitizimin e administrimit të zgjedhjeve

Nga D. V.
398 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 maj, Zhurnal.mk – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së bashku me Këshillin e Evropës zhvilloi sot tryezën konsultuese për arkitekturën e trajnimit dhe edukimit të KQZ-së.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nënvizoi se “KQZ është i angazhuar në forcimin e kapaciteteve të tij për trajnimin dhe edukimin professional”, ndërsa në fjalën hapëse theksoi rëndësinë e administrimit të procesit zgjedhor nga një trupë e trajnuar dhe profesioniste komisionerësh të niveleve të dyta dhe të treta.

“Mënyra se si sot janë të organizuara dhe si funksionojnë këto komisione (KZAZ, KQV, GNV) karakterizohet më së paku nga mungesa e profesionalizimit dhe nuk garantojnë integritet të plotë të procesit zgjedhor, e evidentuar edhe nga raporti i OSBE-ODIHR. Do të duhet që Komisioni Reformës Zgjedhore ta ketë prioritet adresimin e kësaj çështje. Është domosdoshmëri që administrimi i procesit në nivelin e dytë dhe të tretë të mos jetë vetëm atribut i partive politike”, tha Celibashi.

Duke u bazuar në bashkëpunimin e konsoliduar ndërmjet KQZ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, Celibashoi nënvizoi se “KQZ synon të sigurojë që zhvillimi i arkitekturës institucionale dhe i kuadrit të brendshëm rregullator të jetë gjithëpërfshirës dhe i plotë”.

Në këtë kontekst, sipas tij, “KQZ ka zhvilluar dhe po zhvillon diskutime me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile shqiptare për të ndarë mendime, për të mbledhur komente dhe rekomandime, si dhe për të përfituar nga perspektivat krahasuese”.

Në tryezën e sotme u prezantua dokumenti analitik i dy ekspertëve të Këshillit të Evropës, të përgatitur në bazë të rekomandimeve, konsultimeve dhe analizave të gjera, dhe që ofron një pasqyrë krahasuese të organeve të administrimit të zgjedhjeve që kanë krijuar ose përforcuar funksione të dedikuara për trajnim dhe edukim, duke u përqendruar tek modelet institucionale, praktikat operative dhe mënyrat se si administrohen këto funksione.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të ambasadave, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve që veprojnë në fushën e qeverisjes dhe asistencës zgjedhore, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që punojnë në proceset zgjedhore, pjesëmarrjen qytetare dhe mbështetjen e demokracisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër