Shkup, 26 maj, Zhurnal.mk – Shoqata serbe “Paqe, Unitet dhe Stabilitet” më 23 maj 2026 në Kumanovë mbajti tubim për të shprehur mbështetje për Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por, brenda entuziazmit për mbështetje të idolit të tyre, protestuesit në vazhdimësi kanë brohoritur “Rroftë Serbia” dhe “Kosova është e jona”. Kjo gjuhë e përdorur dhe kjo mendësi është vetëm një dëshmi se lejimi i tubimeve të tilla është rrezik për destabilizim të rajonit dhe në veçanti të Maqedonisë së Veriut, sepse konsiderohet një provokim i rëndë kundrejt popullatës shqiptare që jeton në Kumanovë dhe rrethinë, shkruan “Zhurnal.mk”.
Mbështesin Vuçiçin, kërkojnë Kosovën!
Serbët e Kumanovës, bashkë me një numër të maqedonasve nga ky qytet, kanë marshuar në mbështetje të politikave të presidentit serb. Maqedonasit që kanë marrë pjesë në këtë tubim, hapur kanë deklaruar se me serbët janë popuj vëllazëror dhe prandaj kanë dalë që të përkrahin presidentitn serb.
Absurditeti i këtij tubimi është se përveç mbështetjes për presidentin Vuçiç, i cili së fundmi ndodhej në Kinë, marshimi u përdor për të shprehur atë që digjet brenda shpirtit “Rroftë Serbia, dhe Kosova është e jona”.
Këto brohoritje bëhen në Maqedoninë e Veriut, një shtet që e ka njohur pavarësinë dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe që ka marrëdhënie të mira diplomatike e fqinjësore.
Këto thirrje e brohoritje bëhen në Kumanovë, ku qyteti bashkë me rrethinë ka gjysmën e popullsisë me shqiptarë. Një provokim klasik, që vetëm tenton të nxisë konflikte, trazira e destabilizim.
Një tubim i tillë nuk i shkon aspak në mbështetje të fqinjësisë së mirë midis Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Kosovës. Në këtë formë, Maqedonia e Veriut bëhet vendi ku shërohen frustracionet e politikës së Vuçiçit, i cili e ka humbur mbështetjen në vendin e tij, dhe mundohet të fryjë nacionalizmin dhe të shet patriotin në serbët që jetojnë jashtë Serbie.
Edhe pse tubime të tilla janë një e drejtë demplratike, fatkeqësisht ata nuk guxojnë të shndërrohen në moment që mund të krijojë destabilizim.
Ashtu-ashtu Ballkani është gjithmonë në këmbë te qelqit, dhe një shkëndijë e vogël mjafton për të shkatërruar gjithçka, prandaj thirrje të tilla që nxisin urrejtje dhe destabilizim, duhet të dënohen dhe mos lejohen në të ardhmen, shkruan “Zhurnal.mk”.
“Bota serbe” që po gllabëron Maqedoninë e Veriut!
Fatkeqësisht, ndikimi i të ashtuquajturës “bota serbe” në Maqedoninë e Veriut vijon të ngre pikëpyetje mbi shtrirjen e agjendës politike serbe. Me para që vijnë nga Serbia, organizohen aktivitete të ndryshme dhe ky nuk është aktiviteti i parë i kësaj organizate, por duhet të jetë i fundit.
Politikanët maqedonas duhet të kuptojnë se Maqedonia e Veriut është shtet i pavarur, multietnik dhe me sovranitet territorial e politik. Nëse ata duan të mbajnë qëndrimin se janë shtet i pavarur, atëherë duhet që një ditë e më shpejt të shmangin varshmërinë nga politika e Beogradit dhe të mos lejojnë një ndikim serb në vend.
Kjo politikë serbe që daton herët, është munduar që gjithmonë fqinjët e Maqedonisë t’i bëjë armiq, duke përfshirë kryesisht këtu shqiptarët, ndërsa vetëm serbët t’i paraqesin si miqtë e vërtetë dhe shpëtimtarët e Maqedonisë së Veriut.
Kjo politikë me intriga, raste të montuara dhe ndikim në media, ka bërë që politikanët maqedonas të jenë të hutuar dhe të frikësuar, e në këtë mënyrë të jenë edhe në shërbim të politikës serbe. Andaj, shpëtimi nga kjo lloj mendësie, se të gjithë janë armiq, përveç “vëllezërve” serbë është një vetvrasje politike dhe e mëvetësisë së Maqedonisë së Veriut dhe rrugës së saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Vetë Millorad Dodik, kryetar i të a.q. “Republika Sërpska”, në shënimin e “Shën Savës”, festës nacionale të komunitetit serb, organizuar nga Qendra Kulturore Serbe në Shkup, kishte drejtuar porosi kundër Bashkimit Europian. Dhe mund të imagjinohet, që Dodiku, i cili është në të gjitha listat e zeza të shteteve të perëndimit, vjen në Maqedoninë e Veriut si i ftuar special i zëvendëskryeministrit, Ivan Stoilkoviq, shkruan “Zhurnal.mk”.
Kosova është e pavarur, shtet mik dhe fqinjë i Maqëdonisë së Veriut
Nëse edhe pas 18 viteve pavarësi të Kosovës, në territorin e Maqëedonisë së Veriut lejohet që të brohoritet kundër një vendimi që e ka marrë Shkupi zyrtar për njohjen e këtij shteti si i pavarur, i barabartë, mik e partner, atëherë këto grupe në të ardhmen nuk duhet të lejohen që të organizojnë tubime të tilla.
Nëse mbahet një tubim për mbështetje të një presidetni fqinj, edhe pse nuk duket normale, megjithatë mund të akceptohet disi. Por në momentin kur tubimi e humb qëllimin dhe shndërrohet në një thirrje nacionaliste dhe me tone urrejtje, atëherë kjo gjuhë kalon në rrezik për destablizim dhe përçarje.
Kumanova, e sidomos rajoni i Likovës vazhdon të mbetet një pikë e rëndësishme për shqiptarët, prandaj çdo fyerje e shqiptarëve dhe thirrje nacionaliste është një mundësi për shkaktim të problemeve në të ardhmen.
Serbët dhe Serbia duhet ta kuptojnë se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, me kredibilitet dhe i njohur ndërkobëtarisht. Kosova është një realitet i ri që sa më shpejt kuptohet nga serbët është më mirë për ata.
Prandaj, më mirë të shihet realiteti tani se sa të ketë provokime në të ardhmen që nuk do të jenë në dobi të askujt, shkruan “Zhurnal.mk”.
