SHBA-ja, India, Japonia dhe Australia bien dakord për nisma të reja në Indo-Paqësor

Nga D. V.
307 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nju Delhi, 26, maj, Zhurnal.mk – Ministrat e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Indisë, Australisë dhe Japonisë ranë dakord për nisjen e iniciativave të reja me synim forcimin e stabilitetit në rajonin Indo-Paqësor, pas takimit të zhvilluar sot në Nju Delhi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio deklaroi se grupi Quad, i përbërë nga katër vendet, synon të lançojë një Iniciativë të Bashkëpunimit për Mbikëqyrjen Detare në Indo-Paqësor, e cila synon përmirësimin e përdorimit të kapaciteteve të mbikëqyrjes së këtyre shteteve për monitorimin më efektiv të aktivitetit detar në rajon.

Në këtë kuadër, grupi planifikon gjithashtu të zgjerojë shkëmbimin e të dhënave pothuajse në kohë reale mbi transportin tregtar detar në rajon.

“Katër vendet do të bashkëpunojnë edhe me Fiji për një projekt infrastrukture portuale”, tha Rubio.

Ministrat ranë dakord gjithashtu të thellojnë bashkëpunimin në sektorin e lëndëve të para kritike dhe sigurisë energjetike.

Në takim morën pjesë edhe ministrja e Jashtme australiane Penny Wong, ministri i Jashtëm i Indisë Subrahmanyam Jaishankar dhe homologu japonez Toshimitsu Motegi.

Quad është një forum dialogu kryesisht informal, i themeluar në vitin 2007 dhe i riaktivizuar një dekadë më vonë, pasi ishte shpërbërë përkohësisht.

Megjithëse grupi nuk është zyrtarisht i drejtuar kundër ndonjë shteti të caktuar, ai konsiderohet gjerësisht si pjesë e përpjekjeve për të frenuar rritjen e ndikimit dhe qëndrimin gjithnjë e më i vendosur i Kinës në rajon.

Në deklaratën e përbashkët të publikuar pas takimit, ministrat shprehën shqetësim për situatën në Detin e Kinës Lindore dhe Detin e Kinës Jugore, pa e përmendur drejtpërdrejt Kinën.

Mosmarrëveshjet territoriale mes Kinës dhe vendeve fqinje i kanë kthyer këto zona në pika të ndjeshme tensioni.

“Ne rikonfirmojmë mbështetjen tonë për një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur, që u mundëson vendeve të forcojnë qëndrueshmërinë dhe kapacitetet për të përcaktuar vetë rrugën e tyre të zhvillimit”, thuhet në deklaratë.

Rajoni Indo-Paqësor përfshin hapësirën që shtrihet nga Oqeani Indian deri në Paqësorin Verior, duke përfshirë pjesën më të madhe të Azisë dhe duke u zgjeruar deri në bregun perëndimor të SHBA-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër