Shkup, 26 maj Zhurnal.mk – Grupi Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin Italian në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut zhvilloi sot takim me ambasadorin italian në vend, Paolo Palminteri, ku në fokus ishin marrëdhëniet bilaterale, integrimi evropian dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Takimi u drejtua nga kryetari i grupit parlamentar, Elmi Aziri, ndërsa morën pjesë edhe deputetët Bllagica Llasovska, Dimitar Kovaçevski dhe Mevmed Xhaferi.
Aziri theksoi se marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Italisë mbeten tradicionalisht të mira dhe miqësore, duke nënvizuar se Italia vazhdon të jetë një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe tregtarë të vendit.
Në diskutim u veçua edhe bashkëpunimi ndërparlamentar mes dy vendeve, ku u theksua gatishmëria për intensifikimin e kontakteve dhe aktiviteteve të përbashkëta mes grupeve parlamentare të miqësisë.
Lidhur me integrimin evropian, Aziri falënderoi Italinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme ndaj rrugës eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se kjo mbështetje përfaqëson inkurajim të rëndësishëm për institucionet dhe qytetarët e vendit.
Nga ana tjetër, ambasadori Palminteri deklaroi se Bashkimi Evropian ndodhet në një periudhë kur zgjerimi po rikthehet fuqishëm në agjendën politike evropiane dhe se ky moment duhet të shfrytëzohet nga vendi.
Në takim u diskutua edhe për diasporën nga Maqedonia e Veriut në Itali, e cila sipas bashkëbiseduesve është integruar me sukses dhe luan rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
Po ashtu, u potencua nevoja që Parlamenti Italian të ratifikojë sa më shpejt Marrëveshjen për Sigurime Sociale, me qëllim që qytetarët që jetojnë dhe punojnë në Itali të mund t’i realizojnë më lehtë të drejtat e tyre pensionale dhe sociale.
Në fund, palët riafirmuan gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera si kultura, arsimi, turizmi, ekonomia dhe shëndetësia, si dhe koordinimin në organizatat parlamentare ndërkombëtare.
