Shkup, 29 tetor – Dimri po vjen, e bashkë me të ftohtin Shkupi e Tetova do të mbyten sërish me mjegull dhe ndotje. Qeveria pohon se nuk do të lejojë që gjendja e viteve të kaluara të lejohet, dhe për këtë arsye kësaj radhe janë ndërmarrë disa veprime që do të kemi ajër më të pastër. Qeveria disa vite me radhë ka zbatuar masa për uljen e ndotjes duke subvencionuar ngrohjen me rrymë si kondicioner ajri dhe pompa termike, por kjo nuk ka mjaftuar, shkruan “Zhurnal.mk”.
Ndotja fillon të rritet që tani – propozimi ligji për ambientin ende në labirinthet e Kuvendit
Periudha e sezonit të dimrit, vjen edhe sfida të cilën e kemi me ndotjen e ajrit duhet të jetë një nga prioritetet më të mëdha të cilat Qeveria duhet të jetë e fokusuar. Me fillimin e sezonit të ngrohjes, ndotja e ajrit mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët. Kjo ndodh kryesisht për arsye se amvisëritë ngrohen më lëndë djegëse të cilat ndotin siç janë djegia e gomave, peletëve, druve , qymyrit etj. Qeveria disa vite me radhë ka zbatuar masa për uljen e ndotjes duke subvencionuar ngrohjen me rrymë si kondicioner ajri dhe pompa termike. Në Shkup kualiteti i ajrit paraqitet në zonën e verdhë, ndërsa në mesin e qyteteve më të ndotura janë edhe Kumanova, Gostivari, Tetova dhe Strumica.
Në Kuvend aktualisht ndodhet Ligji për ambientin jetësor të cilin ambientalistët e kanë cilësuar si jo të denjë pasi sipas tyre legalizon industritë më ndotëse në shtet siç janë “Ohis” dhe deponitë qendrore të cilat djegin dhe përpunojnë mbeturinat pa filtra adekuat.
Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është harmonizimi i legjislacionit vendor me direktivat e Bashkimit Evropian dhe ky ndryshim synon të përmirësojë proceset e vlerësimit të ndikimit të projekteve të ndryshme në mjedis.
Propozimi po shoqërohet me debate të ashpra dhe kundërshtime të mëdha nga shoqata të ndryshme ambientaliste dhe organizata qytetare. Ata akuzojnë se procesi i hartimit ka qenë jotransparent, duke thënë se versioni i ligjit i dërguar në Kuvend ndryshon nga ai që fillimisht ishte publikuar në sistemin ENER.
Ekologët alarmojnë se ndryshimet po bëhen me qëllim të lehtësimit të kushteve për industrinë e rëndë pranë zonave të banuara. Ata kritikojnë fshirjen ose ndryshimin e disa neneve kyçe që lidhen me identifikimin, menaxhimin dhe sanimin e zonave të kontaminuara.
Organizatat mjedisore u kanë dorëzuar deputetëve të Kuvendit dhjetëra amendamente me qëllim që të parandalohet dobësimi i mekanizmave ekzistues për mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit.
Tranzicioni i gjelbër përmes digjitalizimit!
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka prezantuar iniciativën e re të tranzicionit të gjelbër përmes digjitalizimit, e përbërë nga pesë module specifike.
Moduli i parë, “Bazat”, ofron informacion publik për qytetarët, median dhe OJQ-të mbi projektet e Ministrisë – vlerën e tyre, vendndodhjen, burimet e financimit dhe afatet e zbatimit.
Moduli “Core” përfshin digjitalizimin e arkivit për gjurmimin elektronik , moduli “Koha” është një reformë administrative për të shkurtuar procedurat, moduli “Vendi” përfshin hartëzimin digjiital të deponive të paligjshme të mbeturinave në komuna për një planifikim më të mirë të burimeve për pastrimin e tyre dhe përgatitjen për qendrat rajonale të mbeturinave.
Në disa bashki po zbatohet një projekt pilot për mbikëqyrjen me video të deponive të paligjshme të mbeturinave.
Moduli i fundit në iniciativë është “Ajri” dhe parashikon krijimin e një regjistri digjhital në të cilin 140 mbajtës të lejeve mjedisore të integruara do të publikojnë të dhëna mbi emetimet e tyre, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Emetimeve që hyn në fuqi në shtator 2027, shkruan “Zhurnal.mk”.
“Jugohromi” që po mbyt Tetovën
Deponia e Jugohromit, e cila konsiderohet si një nga pikat e nxehta industriale në Maqedoni, ka 2.2 milion ton mbeturina të depozituara midis viteve 1963 dhe 2016, nga të cilat rreth 7,388 ton janë krom gjashtëvalent.
Studimi, i përgatitur në vitin 2024 me kërkesë të Ministrisë së Mjedisit, propozon shtatë zgjidhje të mundshme, vetëm disa prej të cilave janë të përhershme. Disa nga zgjidhjet lidhen me trajtimin e mbeturinave në vetë vendin e deponisë. Ato vlerësohen si më të shpejtat dhe më të lira, por edhe afatshkurtra. Është propozuar edhe zhvendosja e mbeturinave në nivel lokal, rajonal ose në një vend tjetër në vend, dhe ndër zgjidhjet më të shtrenjta, por edhe më afatgjata është largimi i kromit gjashtëvalent jashtë vendit.
Zhvendosja jashtë vendit është një zgjidhje e përhershme e problemit, por vlerësohet se do të kushtojë rreth 90 milionë euro.
Problemin me deponinë “Jugohrom”, e cila është një nga të ashtuquajturat “pika të nxehta ekologjike” ndodhet pranë burimit “Rashçe”, nga i cili Shkupi furnizohet me ujë të pijshëm.
Planet afatshkurtëra të qeverisë për zgjidhje!
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar dhe zbatuar disa paketa masash konkrete për të luftuar ndotjen e lartë të ajrit, megjithatë ato mbeten kryesisht të natyrës emergjente dhe afatshkurtër. Çështja e ndotjes, sidomos gjatë muajve të dimrit në qytete si Shkupi dhe Tetova, mbetet një sfidë kronike ku ndërveprojnë vendimet institucionale dhe kritikat e ashpra nga opozita e shoqëria civile.
Kur stacionet matëse regjistrojnë nivele ekstremisht të larta të grimcave PM2.5 dhe PM10, qeveria aktivizon një protokoll emergjence që përfshin reduktimin deri në 50% i përdorimit të automjeteve zyrtare nga institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike.
Lirimi nga detyrimet e punës ose ndryshimi i orarit për gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë.
Ndalimi i përkohshëm i aktiviteteve të ndërtimit në ambient të hapur që prodhojnë pluhur të shtuar.
Ndarja e fondeve për zëvendësimin e sistemeve të vjetra të ngrohjes me dru apo qymyr në amvisëri me pompa nxehtësie (inverterë) më efikasë dhe më pak ndotës.
Përmes bashkëpunimit me sektorin privat dhe donacioneve të siguruara, qeveria ka nisur shpërndarjen e pajisjeve të filtrimit të ajrit nëpër çerdhe, shkolla, spitale dhe ndërtesa të tjera administrative për të mbrojtur kategoritë më të rrezikuara.
Me projektin për ndryshimin e metodës së ngrohjes së institucioneve, mbi 70 institucione do të kalojnë nga ngrohja jo-ekologjike në ekologjike. Për të tejkaluar ndotjen, Qeveria duhet të mendojë në ngrohjen me gaz dhe ndalimin e ngrohjes me dru dhe mjete tjera djegëse, sidomos nëpër qytete, shkruan “Zhurnal.mk”.
