Janevska: Nga viti i ardhshëm vetëm dëftesa elektronike për klasat e para deri të gjashtat

Nga B.M
482 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 27 maj, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, njoftoi se nga ky vit shkollor dëftesat për nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të tretë do të jenë elektronike, ndërsa paralelisht do të vazhdojë edhe lëshimi i tyre në formë të shtypur.

Sipas Janevskës, bëhet fjalë për fazën e parë të procesit të digjitalizimit të dëftesave në arsimin fillor, ndërsa vendimi për përdorimin paralel të dëftesave të shtypura është marrë për t’u dhënë kohë mësimdhënësve që të përshtaten me sistemin e ri elektronik.

“Duke filluar nga ky vit, po prezantojmë certifikatat elektronike nga klasa e parë deri në të tretën. Duke qenë se është viti i parë, do të ketë edhe certifikata të shtypura, sepse presim që mësuesit të përshtaten me certifikatat e reja elektronike”, deklaroi Janevska.

Ajo theksoi se sistemi i ri do ta lehtësojë ndjeshëm punën e mësimdhënësve, pasi të dhënat do të tërhiqen automatikisht nga ditari elektronik, duke shmangur plotësimin manual të dëftesave dhe gabimet eventuale.

Ministrja bëri të ditur se nga viti i ardhshëm sistemi elektronik do të zgjerohet edhe për klasat e katërta, të pesta dhe të gjashta, ndërsa synimi është që brenda tre viteve të përfshihen të gjitha klasat deri në të nëntën.

Sipas saj, përveç lehtësimit administrativ, digjitalizimi do të ndikojë edhe në uljen e përdorimit të letrës dhe ndotjes, ndërsa sistemi i regjistrimit në shkollat e mesme do të mund të tërheqë automatikisht të dhënat nga vetë shkollat.

“Ky është një përparim relativisht i madh për digjitalizimin e procedurave në shkolla dhe lehtësinë për mësuesit, prindërit dhe nxënësit”, tha Janevska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër