Tragjedi në Ulqin: Kosovari dyshohet se vrau partneren dhe dogji banesën

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ulqin, 27 maj Zhurnal.mk – Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Ulqin, ku një shtetas nga Kosova dyshohet se i mori jetën partneres së tij dhe më pas i vuri zjarrin banesës ku jetonin së bashku në lagjen Kodre, transmeton Gazeta Metro.

Sipas mediave malazeze, viktima është një 36-vjeçare nga Shqipëria, ndërsa i dyshuari, 46-vjeçari Bashkim Gashi, u ndalua nga autoritetet pas incidentit që ndodhi gjatë natës mes së martës dhe së mërkurës.

Forcat e policisë dhe zjarrfikësit ndërhynë pas raportimit për flakët rreth orës 00:30. Pas shuarjes së zjarrit, në objekt u gjet trupi i pajetë i gruas, i cili u dërgua për ekzaminim mjeko-ligjor në Podgoricë.

I dyshuari pësoi djegie gjatë ngjarjes dhe fillimisht mori trajtim në spitalin e Tivarit, për t’u transferuar më pas në Qendrën Klinike të Podgoricës, ku po mbahet nën mbikëqyrje policore.

Prokuroria e Lartë në Podgoricë e ka cilësuar rastin si “vrasje e rëndë”, ndërsa hetuesit po analizojnë provat dhe pamjet e siguruara për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

artikuj të ndërlidhura