Kongo, 27 maj Zhurnal.mk – Autoritetet në Uganda kanë njoftuar mbylljen e menjëhershme të kufirit me Republikën Demokratike të Kongos për shkak të përhapjes së virusit Ebola, ndërsa numri i rasteve ka arritur në rreth 1,000.
Sipas mediave ndërkombëtare, vendimi u mor nga grupi lokal i punës kundër Ebolës pas rritjes së rasteve të punonjësve shëndetësorë ugandas që dyshohet se janë ekspozuar ndaj virusit nga pacientë kongolezë që kishin kaluar kufirin përpara shpalljes zyrtare të shpërthimit më 15 maj.
Këtë herë bëhet fjalë për një variant të rrallë të virusit, të njohur si “Bundibugyo”, për të cilin ende nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime të konfirmuara.
Autoritetet shëndetësore po shprehin shqetësim të madh për përhapjen e mundshme të virusit në rajon. Ministria e Shëndetësisë e Ugandës bëri të ditur se kalimet kufitare me Kongon do të lejohen vetëm në raste emergjente, si transporti i mallrave, operacionet e sigurisë apo ndërhyrjet që lidhen me menaxhimin e shpërthimit epidemik.
Personat që do të hyjnë nga Kongo në kushte emergjente do t’i nënshtrohen vetëizolimit të detyrueshëm për 21 ditë.
