Uashington, 28 maj, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani kanë shkëmbyer sërish sulme pranë Ngushticës së Hormuzit sot në mëngjes, pavarësisht armëpushimit dhe negociatave që po vazhdojnë për t’i dhënë fund luftës.
Një zyrtar amerikan deklaroi se ushtria amerikane goditi një pozicion iranian nga ku po kontrolloheshin dronë.
Sipas tij, forcat amerikane rrëzuan gjithashtu katër dronë që përbënin kërcënim për trupat amerikane, ndërsa pozicioni i goditur në qytetin portual iranian Bandar Abbas po përgatitej të lëshonte një dron të pestë.
“Veprimet ishin të kufizuara, thjesht mbrojtëse dhe synonin ruajtjen e armëpushimit”, tha zyrtari amerikan.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane Tasnim, duke cituar një burim ushtarak vendas, raportoi se një anije cisternë amerikane kishte tentuar të kalonte ngushticën me radarët të fikur.
Sipas raportit, trupat e Gardës Islamike Revolucionare ( IRGC) hapëni zjarr ndaj cisternës dhe e detyruan të kthehej pas.
Informacionet e dhëna nga të dyja palët nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Mediat iraniane raportuan më herët për shpërthime pranë Bandar Abbasit, kryeqendra e provincës Hormozgan, një nga qendrat më të rëndësishme ushtarake të Iranit në rajonin e Gjirit dhe përgjatë Ngushticës së Hormuzit.
Një armëpushim është në fuqi që prej 8 prillit, por që atëherë janë regjistruar disa shkëmbime sulmesh në zonën e ngushticës.
IRGC deklaroi sot herët të se kishte sulmuar bazën ajrore amerikane nga ku, sipas tij, ushtria amerikane kishte goditur zonën pranë aeroportit të Bandar Abbasit.
Kuvajti raportoi se ishte vënë nën sulme me raketa dhe dronë.
“Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Kuvajtit konfirmon se çdo shpërthim që mund të dëgjohet është rezultat i sistemeve të mbrojtjes ajrore që po interceptojnë objektiva armiqësore”, thuhej në një deklaratë të ushtrisë të publikuar në platformën X.
Fillimisht nuk pati informacione për dëme apo viktima. Ushtria kuvajtiane nuk bëri të ditur menjëherë origjinën e sulmeve.
Pas nisjes së sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit më 28 shkurt, Teherani kishte lëshuar raketa dhe dronë ndaj Kuvajtit dhe shteteve të tjera të Gjirit aleate të SHBA-së.
Ushtria amerikane mban baza të shumta në rajonin e Gjirit, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe he vende të tjera të Gjirit kanë raportuar së fundmi sulme të izoluara, megjithëse armëpushimi mbetet zyrtarisht në fuqi.
