BQK ndan 12 milionë euro për buxhetin e shtetit për vitin e tretë radhazi

Nga D. V.
382 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 maj, Zhurnal.mk – Banka Qendrore të Republikës së Kosovës ka miratuar pasqyrat financiare vjetore të BQK-së për vitin financiar 2025, të audituara nga auditori i jashtëm i pavarur.

Në njoftimin e BQK-së thuhet se pasqyrat financiare vjetore kanë marrë opinion të pastër (pa kualifikim) nga auditori i jashtëm, duke konfirmuar se ato paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën financiare dhe performancën financiare të Bankës Qendrore, në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar.

“Për vitin financiar 2025, BQK ka realizuar të ardhura neto në vlerë prej 24 milionë euro. Në përputhje me Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës (nenin 55, si dhe nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.2), 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në si të hyra për buxhetin e shtetit, ndërsa 50 për qind alokohen në fondin e rezervave të përgjithshme të Bankës Qendrore”, thuhet në njoftim.

Në bazë të këtyre dispozitave, 12 milionë euro nga të ardhurat e ndashme për vitin 2025 do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të alokohet në rezervat e përgjithshme të BQK-së, në përputhje me kërkesat ligjore dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë financiare institucionale.

Në njoftim tutje thuhet se është viti i tretë radhazi që Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ndan të ardhura për buxhetin e shtetit, duke e çuar vlerën totale të transferimeve në afër 38 milionë euro.

“Miratimi i pasqyrave financiare me opinion të pastër nga auditori i jashtëm dhe ndarja e të ardhurave për buxhetin e shtetit reflektojnë forcimin e mëtejshëm të qeverisjes institucionale, administrimit financiar, transparencës dhe llogaridhënies së BQK-së, në përputhje me mandatin e saj ligjor.

Banka Qendrore do të vazhdojë të ushtrojë funksionet e saj në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të kujdesshme, duke ruajtur stabilitetin financiar, integritetin e sistemit financiar dhe qëndrueshmërinë afatgjatë institucionale”, thuhet në komunikatë.

Pasqyrat financiare vjetore, së bashku me raportin e auditorit të jashtëm, do të publikohen dhe dorëzohen në pajtim me kërkesat ligjore për raportim dhe transparencë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër