PL kërkesë Kushtetueses: Respektoni afatin ligjor për zbardhjen e vendimit për Ilir Metën

Nga D. V.
334 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 maj, Zhurnal.mk – Deputetët e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetares s Gjykatës Kushtetuese si dhe anëtareve të saj, duke kërkuar respektimin e afateve ligjore për zbardhjen e vendimit të dhënë në seancën plenare të datës 8 prill 2026, lidhur me çështjen e kërkuesit Ilir Meta, president i Partisë së Lirisë.

Në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, deputetët kërkojnë shpalljen e vendimit të arsyetuar, teksa theksojnë rëndësinë kushtetuese dhe interesin e lartë publik që mbart kjo çështje, duke nënvizuar se respektimi i afateve të parashikuara nga ligji “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, si dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, është thelbësor për garantimin e sigurisë juridike, transparencës dhe besimit të publikut te drejtësia kushtetuese.

“Në këtë kuadër, ju sjellim në vëmendje se çdo vonesë e pajustifikuar në zbardhjen e vendimit, në kundërshtim me afatet e përcaktuara nga ligji, do të përbënte cenim të standardeve të një procesi të rregullt ligjor, të parimit të sigurisë juridike, si dhe të vetë besueshmërisë së drejtësisë kushtetuese.

“Duke vlerësuar rolin dhe përgjegjësinë e Gjykatës Kushtetuese si garantuese e Kushtetutës dhe e të drejtave themelore, shprehim pritshmërinë që zbardhja e vendimit të kryhet brenda afateve ligjore të përcaktuara”, thuhet në kërkesën e deputetëve të Partisë së Lirisë.

Kërkesa është firmosur nga deputetët Tedi Blushi, Edmond Haxhinasto, Erisa Xhixho dhe Brunilda Haxhiu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër