​PDK synon një qeveri me LDK e AAK: A do të jetë Fatmir Limaj kryetar i ri i PDK-së?

Nga Xh M
519 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 28 maj Zhurnal.mk – Kandidatja për deputete nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se ky subjekt politik po hyn në zgjedhjet e 7 qershorit me një platformë që, sipas saj, synon t’i japë fund krizave dhe ta largojë nga pushteti Lëvizjen Vetëvendosje.

Në “Intervista Zgjedhore” në kp, ajo tha se programi i PDK-së është ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve dhe parasheh rritje pagash, lehtësira fiskale dhe rikthim të zhvillimit ekonomik.

Ky është plani i PDK-së “për ta hequr Kurtin nga pushteti”

“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në këto zgjedhje në garë me një platformë të jashtëzakonshme zgjedhore, e cila bazohet drejtpërdrejt në nevojat që i kanë sot njerëzit…08:28 PDK do ta bazojë programin e saj në çështjen e rritjes së pagave. Do të kemi 50% rritje të pagave për të gjitha kategoritë shoqërore, përfshirë pensionistët dhe kategoritë e dala nga lufta në mënyrë që ata të arrijnë të përballojnë gjendjen e rëndë të rritjes së çmimeve. Së dyti, kemi propozuar lehtësira nga TVSH dhe heqjen e akcizës në mënyrë që të kemi një ballafaqim më të lehtë me shportën familjare…11:00 Kauza kryesore është t’i japim fund krizës. Këto vite janë karakterizuar nga kriza të njëpasnjëshme të prodhuara nga pushteti i Albin Kurtit. Kemi pasur mungesë të projekteve kapitale, buxheti ka rënë nën 20%. Kemi parë afera korruptive me rezervat shtetërore, kontrata njëburimore, tenderë me miliona euro, ndërkohë që qeveria flet për qytetarin por nuk ka zhvillim as për rrugën e Pejës, as për Mitrovicën, as për Gjakovën”, tha ajo.

Në ditën hapëse të fushatës zgjedhore për votimet e 7 qershorit, Deliu-Kodra theksoi se PDK-ja synon formimin e qeverisë së re bashkë me partitë e ish-opozitës, konkretisht LDK-në dhe AAK-në, derisa u shpreh optimiste se në këtë formë do të gjendet dhe zgjidhja për presidentin.

“PDK synon qeverinë me LDK-në dhe AAK-në”

“Partia Demokratike e Kosovës pret të ketë rritje në këto zgjedhje. Ne jemi në terren dhe shohim nevojën e njerëzve që të përqafojnë një program që bazohet në nevojat reale që i kanë njerëzit. Qytetarët janë të lodhur prej propagandës dhe polarizimit…Ne synojmë që të rritemi dhe jemi në garë që të krijojmë qeverinë e re bashkë me partitë e ish-opozitës, duke qartësuar pozicionin ku synojmë t’i japim Kosovës një drejtim të ri…39:22 Ne presim që do të kemi rritje në numra ish-opozita dhe rritja në numra do t’ia pamundësojë pushtetin Albin Kurti. Ne presim që me rezultatet e sotme të ketë rënie në numra. Ne nuk kemi qenë bllokues për presidentin”, shtoi ajo.

Deliu-Kodra foli edhe për mungesën e ish-krerëve të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli që po gjykohen nga Specialja në Hagë, duke thënë se prania e tyre do të ndikonte pozitivisht në rezultatin zgjedhor të partisë.

Deliu-Kodra: Po të ishin Thaçi e Veseli do të kishim rezultat të mirë në zgjedhje

“Jam e bindur se sikur të ishte Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët në Kosovë rezultati ynë zgjedhor do të ishte ndryshe. Ne nderojmë kudo, madhështinë e burrave që i kanë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Fillimisht në organizimin e protestave të para ku kanë qenë të dënuar në mungesë. Kanë qenë pjesë e shtet-ndërtimit, në luftën e UÇK-së, ku në moshë të re kanë kapur pushkën për t’i dalë zot vendit. Kanë dhënë provimin për shtetin e Kosovës edhe në Rambuje dhe Vjenë e shpalljen e pavarësisë së Kosovës, fuqizimin e shtetit me autostrada dhe shkolla”, deklaroi kandidatja për deputete e PDK-së.

Ajo komentoi edhe mbështetjen që Fatmir Limaj i Nisma-s i dha PDK-së, pavarësisht se nuk u përfshi në listë për zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas saj, Limaj po kthehet në shtëpinë e vet politike, derisa u shpreh e hapur pro mundësisë që ai të përfshihet në struktura, e të marrë pjesë në zgjedhjet e brendshme të PDK-së.

A do të jetë Fatmir Limaj kryetar i ri i PDK-së?

“Bashkimi ynë edhe me Nisma-n dhe me plot të rinj dhe të reja, qytetarë të Kosovës që sot gjithandej përfaqësojnë vlerat e një partie që nuk do ta lërë Kosovën në status-quo dhe do të orientojnë të ardhmen më të mirë të shtetit…Ai e ka vendin te PDK. Zotëri Limaj po kthehet në shtëpinë ku ka qenë. Unë kur kam qenë deputete në vitin 2010 kam gjetur Hashim Thaçin, zotërin Limaj e plot të tjerë në PDK. Ai kthehet në shtëpinë e vet, njerëzit, aktivistët dhe motrat dhe vëllezërit e tij. Këto janë çështje të cilat nuk diskutohen sot kur po flasim për nevojën e rikthimit të pushtetit të PDK-së. E mira që është se sot ka një përbashkim kudo dhe unë isha në Malishevë dhe struktura atje dhe kryetari i degës dhe kandidatët që janë në garë sot kanë filluar bashkërendimin dhe rikthimin e Nisma-s”, theksoi Deliu-Kodra.

Në anën tjetër, Deliu-Kodra foli edhe për fotografinë e kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit që vjen nga PDK-ja, me Martin Berishajn, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, të cilin kjo parti jo pak herë e ka akuzuar për mafinë energjetike.

Ajo tha se ky veprim i Lladrovcit nuk e zbeh përgjegjësinë që, sipas saj, mban Berishaj për dëmet financiare që i janë shkaktuar Kosovës si pasojë e veprimeve të tij të mëhershme për sa i përket energjisë.

Çfarë kritike i bën PDK-ja Ramiz Lladrovcit për foton me Martin Berishajn

“Mendoj se zotëri Lladrovci e ka sqaruar në fotografinë e tij se për çka bëhej fjalë. Fjala ishte për raportet e mëhershme të Martin Berishajt me zotërin Lladrovci, po flas për një periudhë të mëhershme me Fehmi Lladrovci. Megjithatë, as fotografia e cila është postuar dhe asnjë fotografi me ndonjë zyrtar të PDK-së që nuk lidhet me zhvillimet e fundit nuk e largon nga pesha dhe barra e rëndë e përgjegjësisë penale që zotëri Martin Berishaj ia ka bërë dëmin miliona euro që i ka bërë Kosovës”, përfundoi Deliu-Kodra.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër