Bruksel, 29 maj, Zhurnal.mk – NATO dënoi sot atë që e quajti papërgjegjshmëri të Rusisë, pasi një dron rus u rrëzua mbi një ndërtesë banimi në Rumani, pranë kufirit me Ukrainën duke shkaktuar plagosjen e lehtë të dy personave.
“Ne dënojmë papërgjegjshmërinë e Rusisë”, deklaroi zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, në rrjetin social X.
Ajo shtoi se sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune për të ndjekur situatën.
Sipas burimeve pranë Aleancës, Rumania po shqyrton nëse do të kërkojë aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s.
Ky nen parashikon që vendet anëtare të zhvillojnë konsultime sa herë që njëra prej tyre vlerëson se integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e saj është nën kërcënim.
Bukureshti ka kërkuar gjithashtu nga NATO që të përshpejtojë transferimin e sistemeve dhe mjeteve për luftën kundër dronëve në territorin rumun.
NATO premtoi se do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj ndaj të gjitha kërcënimeve, përfshirë dronët.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, incidentet me dronë rusë në territorin ose hapësirën ajrore të vendeve anëtare të NATO-s janë shtuar.
Rumania kishte thirrur ambasadorin rus në Bukuresht pas hyrjes së një droni rus në hapësirën e saj ajrore në shtator 2025.
Pak ditë më parë, një incident i ngjashëm kishte ndodhur në Poloni, ku aktivizimi i Nenit 4 të NATO-s u përdor si përgjigje ndaj kërcënimit të sigurisë.
