250-vjetori i Pavarësisë së SHBA, Balla: Më shumë se partner strategjik për Shqipërinë

Nga D. V.
406 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 29 maj, Zhurnal.mk – Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Taulant Balla ishte i pranishëm në shkollën e mesme profesionale “Charles Telford Erickson” në Golem, ku u zhvillua aktiviteti përkujtimor me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij, Balla vlerësoi marrëdhëniet e veçanta që lidhin Shqipërinë me SHBA-në, duke theksuar se ato shkojnë përtej partneritetit strategjik dhe mbështeten mbi besimin, mirënjohjen dhe vlerat e përbashkëta.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë thjesht një vend partner strategjik me të cilin kemi marrëdhënie diplomatike e politike. Shqipëria ka me SHBA mbi të gjitha marrëdhënie besimi, mirënjohjeje dhe vlerash të përbashkëta”, u shpreh Balla.

Ai solli në vëmendje edhe rolin historik të presidentit amerikan Woodrow Wilson, i cili një shekull më parë mbrojti të drejtën e Shqipërisë për të ekzistuar si shtet i lirë dhe sovran, duke kundërshtuar copëtimin e saj në Konferencën e Paqes.

“Kur Shqipëria rrezikonte ekzistencën e saj si shtet, ishte presidenti amerikan Wilson ai që ngriti zërin dhe vendosi veton për të mbrojtur të drejtën e kombeve të vegjël për të jetuar të lirë dhe sovranë”, deklaroi Balla.

Drejtuesi politik i PS theksoi gjithashtu simbolikën e zhvillimit të aktivitetit në shkollën që mban emrin e misionarit amerikan Charles Telford Erickson, i cili kontribuoi në arsimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke sjellë modele moderne edukimi dhe formimi profesional.

Në përfundim të ceremonisë, Balla vendosi kurora me lule pranë bustit të Charles Telford Erickson, në shenjë nderimi për kontributin e tij në arsimimin dhe zhvillimin e brezave të rinj shqiptarë, si dhe si simbol të miqësisë së qëndrueshme mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër