Shkup, 30 maj, Zhurnal.mk – Edhe pse ishte paralajmëruar se deri të enjten do të prezantohej një draft final për zgjidhjen e çështjes së dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, një dokument i tillë ende nuk është bërë publik. Për këtë kanë reaguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, duke vlerësuar se mungesa e një zgjidhjeje është më e pranueshme sesa miratimi i një zgjidhjeje që do të binte ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Nga VLEN, ditë më parë deklaruan se të enjten do të prezantohej një draft final për këtë çështje, ndërsa do të vendosej edhe nëse ai do të dërgohej për mendim në Komisionin e Venecias.
Megjithatë, deri më tani nuk është publikuar asnjë version i paralajmëruar, gjë që ka nxitur reagimin e BDI-së.
“Të enjten tha: do të ketë zgjidhje përfundimtare. Sot është e premte. Zgjidhje nuk ka. Dhe për herë të parë, kjo është një lajm i mirë. Sepse çdo zgjidhje jashtë Ligjit për Gjuhët do të ishte katastrofale. Mesa duket, nuk janë të aftë të bëjnë as zgjidhje të këqija”, thuhet në reagimin e partisë.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka nxitur reagime të shumta gjatë muajve të fundit. Studentët shqiptarë kanë organizuar dy protesta në Shkup, duke kërkuar që provimi të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, siç argumentojnë ata, në përputhje me të drejtat kushtetuese dhe ligjore të garantuara për përdorimin e gjuhës.
Lidhur me këtë çështje kishte reaguar edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili deklaroi se nevojitet durim dhe se zgjidhja duhet të gjendet në përputhje me ligjin.
