Shkup, 30 maj Zhurnal.mk – Plani i ri operativ për punësim, me vlerë rreth 40 milionë euro, do të nisë të zbatohet gjatë muajit qershor. Plani tashmë është miratuar nga Qeveria, ndërsa së shpejti do të publikohen të gjitha detajet për masat dhe mundësitë që do t’u ofrohen personave të papunë, kategorive sociale të cenueshme dhe të rinjve deri në moshën 29-vjeçare.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, deklaroi se plani operativ është miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë dhe pret që nga java e ardhshme të bëhet plotësisht funksional.
“Nga e marta do t’i prezantojmë të gjitha risitë, masat dhe ndryshimet që duhet ta bëjnë planin më efikas dhe më të qasshëm, veçanërisht për të rinjtë. Janë paraparë edhe mundësi punësimi për mërgimtarët tanë që dëshirojnë të kthehen dhe të punojnë në vend”, tha Risteski.
Ai theksoi se qëllimi i Qeverisë është që përmes masave aktive të punësimit t’i inkurajojë qytetarët të nisin bizneset e tyre ose të përfshihen në tregun e punës, duke ndihmuar kështu në uljen e emigrimit të të rinjve.
Sipas Risteskit, rezultatet e planeve të mëparshme operative janë inkurajuese. Plani i vitit të kaluar është realizuar me 92 për qind sukses, ndërsa gjatë vitit 2025 rreth 12 mijë persona kanë përfituar nga ndonjë prej masave për punësim. Interesimi më i madh ka qenë për masën e vetëpunësimit, të cilën e kanë shfrytëzuar më shumë se 2.600 persona për hapjen e bizneseve të tyre.
Sa i përket Ligjit për Praktikat e Pabarabarta Tregtare, Risteski paralajmëroi ndryshime që pritet të miratohen deri në fund të verës. Risia më e rëndësishme do të jetë rritja e ndjeshme e gjobave për shkelësit.
“Deri më tani janë shqiptuar gjoba në vlerë totale prej rreth 200 mijë eurosh. Praktika tregon se nevojiten disa ndryshime teknike, por edhe një politikë shumë më e ashpër ndëshkuese. Parashohim që gjobat të rriten dhjetëfish për të gjithë ata që e keqpërdorin ligjin në dëm të prodhuesve, furnitorëve dhe qytetarëve”, theksoi Risteski.
Ai shtoi se aktualisht gjobat maksimale arrijnë deri në 20 mijë euro, ndërsa me ndryshimet e reja pritet të jenë dukshëm më të larta. Deri më tani, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka hapur rreth 45 raste që lidhen me shkeljen e këtij ligji.
