Shkup, 31 maj Zhurnal.mk – Punonjësit në Bashkimin Evropian kanë punuar mesatarisht 35.9 orë në javë gjatë vitit të kaluar, një orë më pak krahasuar me vitin 2015, kur mesatarja ishte 36.9 orë, tregojnë të dhënat e publikuara nga Eurostat.
Sipas raportit, java më e gjatë e punës në BE është regjistruar në Greqia me 39.6 orë pune në javë. Pas saj renditen Bullgaria dhe Polonia me nga 38.7 orë, ndërsa Lituania ka 38.4 orë. Në vendin e pestë gjendet Sllovenia me 38.3 orë pune në javë.
Në anën tjetër, javën më të shkurtër të punës e kanë punonjësit në Holanda me vetëm 31.9 orë në javë. Pas saj vijnë Gjermania dhe Danimarka me nga 33.9 orë, ndërsa Austria, Belgjika dhe Finlanda gjithashtu renditen ndër vendet me më pak orë pune.
Megjithatë, të dhënat për produktivitetin e punës tregojnë një pamje krejt tjetër. Irlanda kryeson me rreth 225 për qind të mesatares së BE-së për produktivitetin e matur me Prodhimin e Brendshëm Bruto për orë pune, edhe pse punonjësit e saj punojnë më pak se mesatarja evropiane.
Pas Irlandës renditen Luksemburgu me 153 për qind, Belgjika me 130 për qind, si dhe Danimarka, Holanda dhe Austria, të gjitha mbi mesataren e BE-së.
Ndërkohë, vendet e Evropës Jugore, Qendrore dhe Lindore, pavarësisht se kanë javë më të gjata pune, mbeten nën mesataren evropiane për produktivitet. Sllovenia renditet e 17-ta me rreth 86 për qind të produktivitetit mesatar të BE-së.
Në fund të listës për produktivitet gjenden Bullgaria me 59 për qind të mesatares së BE-së, Greqia me 67 për qind, Letonia me 70 për qind dhe Hungaria me pak më shumë se 73 për qind.
