Në prag të sezonit turistik, Struga mbetet pa kuzhinierë, të kualifikuarit ikin jashtë vendit

Nga Xh M
476 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Strugë, 31 maj Zhurnal.mk – Në Qendrën për Punësim në Strugë çdo ditë mbërrijnë nga dhjetëra kërkesa për punësimin e kuzhinierëve, kamerierëve, banakierëve, pastruesve, punëtorëve të përgjithshëm dhe kuadrove të tjera të kualifikuara. Por interesi për punësim tek të rinjtë është shumë i vogël. Ka shumë të papunë, por nuk ka njerëz që mund t’ua ofrojmë punëdhënësve, thotë për Alsat Elvedina Dika, drejtoreshë e Qendrës për Punësim.

“Sa i përket kërkesave të punëdhënësve për punësim të kuadrit përkatës me certifikata nga fusha e gastronomisë, për momentin nuk kemi asnjë person të papunë të evidencuar me kualifikime përkatëse. Arsyeja është se personat e papunë nuk posedojnë certifikata të duhura, dhe kjo mund të vërtetohet në bazë të kërkesave të hoteleve, objekteve hotelierike dhe punëdhënësve, të cilët kërkojnë dhe punësojnë kuadër profesional të kualifikuar. Sa i përket kërkesave nga hotelet dhe restorantet, çdo ditë ka kërkesë prej 5 deri në 10 persona vetëm për kuzhinierë, ndihmës-kuzhinierë dhe personel tjetër në kuzhinë”, deklaroi Elvedina Dika – drejtoreshë e Qendrës për Punësim

Shumë hotelierë problemin e mungesës së kuadrit do ta zgjidhin me nxënës të shkollave të mesme dhe pensionistë. Një pjesë e tyre janë përcaktuar edhe për punëtorë të huaj nga Nepali dhe Filipinet.

“Jemi përpjekur edhe në vitet e kaluara të luftojmë me mungesën e kuadrit, për fat të keq ende vazhdon largimi i kuadrit. Drejtimet e tjera kanë paga më të larta, edhe pse këtë vit edhe ne si drejtim po përballemi me rritjen e pagave dhe po i rrisim ato për t’i mbajtur të punësuarit. Konkretisht, në hotelin tonë ka rreth dhjetë persona nga Nepali në të gjitha pozicionet. Ne nuk heqim dorë nga njerëzit tanë. Vazhdojmë të punojmë me të punësuarit tanë, të cilët konsiderojmë se janë e ardhmja e gastronomisë këtu”, theksoi Ana Jançeva – menaxhere e hotelit në Strugë.

Nga Qendra për Punësim thonë se tek ata vazhdimisht arrijnë kërkesa për punësimin e punëtorëve të huaj jo vetëm në gastronomi, por edhe në ndërtimtari dhe se për momentin ai numër është rreth tridhjetë, por problem mbeten procedurat e gjata dhe të ndërlikuara për marrjen e lejeve. Destinacioni më i preferuar për punëtorët e Maqedonisë së Veriut edhe këtë verë do të jetë Kroacia. Atje pritet të punojnë më shumë se 15.000 persona.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër