1 Qershori, Begaj dhe Zonja e Parë presin fëmijët e zonjave që janë pjesë e Forcave të Armatosura

Nga D. V.
483 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë e Shqipërisë, Armanda Begaj, organizuan sot pritjen e përvitshme për festën e fëmijëve.

Të ftuarit e veçantë të këtij 1 Qershori ishin fëmijët e zonjave që janë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Kreu i Shtetit, në fjalën përshëndetëse, vlerësoi sakrificën e tyre ndërsa u uroi suksese miqve të vegjël të pranishëm në këtë ceremoni festive.

Presidenti  vlerësoi shërbimin e tyre duke i cilësuar si krenaria jonë kombëtare që na përfaqësojnë denjësisht kudo dhe kurdoherë që ne kemi nevojë, që ngrenë lart flamurin shqiptar.

Presidenti ftoi fëmijët të gëzojnë, të luajnë e të bëjnë sa më shumë miq.

“Të dashur fëmijë, sot mendoj që lojërat do t’ju bëjnë më shumë miq me njëri-tjetrin, sepse kështu duhet të jetë jeta e ndërtuar me miqësi dhe dashuri. Shumë faleminderit dhe gëzuar 1 Qershorin!”, tha Begaj.

Edhe Zonja Begaj uroi fëmijët për festën e 1 Qershorit, ndërsa vlerësoi figurën e zonjave që shërbejnë në uniformë.

“Të luajmë së bashku me ju është gjithnjë kënaqësi, por fillimisht doja të ftoja fëmijët të duartrokasin për ato nëna që bëjnë krenare jo vetëm fëmijët e tyre, por të gjithë ne, nënat që shërbejnë me shumë përkushtim në ushtri.  Faleminderit që keni ardhur dhe gëzuar festën!”, tha ajo.

Të gjithë fëmijët bashkë, me simbolikën e lëshimit të tullumbaceve në qiell, shprehën vërshimin e ëndrrave dhe dëshirave të tyre.    Më pas aktiviteti vijoi me programin artistik, me kërcimet e artistëve të vegjël të Durrësit.

Pjesë e festës ishte dhe një shfaqje Teatri i Kukullave, nga artistja Shegushe Bebetit, që ka frymëzuar breza me radhë me artin e saj të kukullave.

Ekipi i Cirkut Kombëtar i dhuroi festës befasinë dhe magjinë përmes interpretimeve mjeshtërore.

Nxitja e konkurrencës mes fëmijëve për të nxjerrë në dukje aftësinë dhe talentin erdhi këtë 1 Qershor nëpërmjet lojërave popullore dhe garave artistike e sportive në natyrë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër