Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Pesë skuadrat finaliste të Konkursit Ndërkombëtar për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve paraqitën sot përpara jurisë projekt-idetë arkitekturore, në një proces që synon transformimin e një prej godinave historike të Tiranës në një qendër moderne multifunksionale.
Në aktivitetin ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi se rikualifikimi i Pallatit të Kongreseve përfaqëson një moment të rëndësishëm për zhvillimin e Tiranës dhe përshtatjen e infrastrukturës publike me realitetin e ri të vendit.
Gonxhja solli në vëmendje historinë e godinës, ndërtimi i së cilës nisi në vitin 1982 në aksin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas tij, Pallati i Kongreseve u konceptua në një tjetër realitet politik dhe shoqëror, në një Shqipëri të izoluar, ku kongreset e partisë shërbenin si skena të demonstrimit të unitetit mes pushtetit dhe popullit.
“Me kalimin e viteve, Pallati i Kongreseve u shndërrua në një hapësirë që mirëpriti festivale, panaire, ekspozita, samite dhe aktivitete kulturore e artistike, duke u përshtatur me ndryshimet e vendit”, tha Gonxhja.
Ministri theksoi se struktura ekzistuese mbart kufizime funksionale, duke përmendur mungesën e garazheve nëntokësore, shërbimeve të dedikuara dhe karakterit të plotë multifunksional.
“Sot, katër dekada më vonë, Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1982. Vendi ynë është i hapur ndaj botës, një hap larg Bashkimit Evropian dhe një destinacion turistik që mirëpret miliona vizitorë çdo vit”, u shpreh ai.
Gonxhja nënvizoi se në këtë realitet të ri kërkesat dhe ambiciet janë më të mëdha, ndaj nevojitet një qendër moderne dhe e denjë për Tiranën dhe Shqipërinë e sotme.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për një godinë me kapacitete më të mëdha. Bëhet fjalë për një infrastrukturë moderne, të aftë të presë evente elitare ndërkombëtare të përmasave më të mëdha, artistë të njohur botërorë, kongrese, samite, ekspozita dhe aktivitete që kërkojnë standardet më të larta teknike, operative dhe organizative”, vijoi ministri.
Ndaj, sipas tij, rikualifikimi i kësaj ndërtese emblematike të Tiranës, për ta shndërruar atë në një hapësirë praktike e multifunksionale të rinovuar, është një investim në shërbim të jetës kulturore, institucionale dhe publike, sikurse dhe një rritje ergonomie për tërë bllokun urban ku pozicionohet.
“Na duhet një hapësirë që të jetë njëkohësisht skenë kombëtare për talentet e reja shqiptare dhe një skenë ndërkombëtare për ngjarjet që e lidhin vendin tonë me botën. Një simbol i ambicies sonë për të mos qenë spektatorë të zhvillimeve, por pjesëmarrës dhe protagonistë në to”, detajoi Gonxhja, duke vënë në dukje se qendra e re në zemër të kryeqytetit duhet të mishërojë frymën e Tiranës së sotme: dinamike, krijuese, moderne dhe e hapur.
“Duhet të ndërthurë traditën me inovacionin, kujtesën me të ardhmen, funksionalitetin me ekselencën arkitektonike, jetën urbane dhe kulturore, duke ruajtur vlerën e
trashëgimisë si dhe të rrisë eficiensën dhe rolin e ndërtesës e në mënyrë të veçantë vlerën ekonomike të Pallatit të Kongreseve”, theksoi ai.
Gonxhja shprehu kënaqësinë që thirrjes i janë përgjigjur studio prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës. “Interesi i tyre është një tregues i qartë i reputacionit që Tirana ka fituar dhe i besimit që ekziston tek potenciali i qytetit dhe tek vizioni ynë”, përfundoi Gonxhja.
