Rama: Koorporata e Investimeve, kontrata me mbi 523 milionë euro përfitim direkt për shtetin

Nga D. V.
971 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se aktiviteti i Korporatës Shqiptare të Investimeve ka sjellë mbi 523 milionë euro përfitim direkt për shtetin, ndërsa përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar ka kaluar 1 miliard euro.

Gjatë prezantimit të projekt-ideve finaliste për rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve, Rama bëri një bilanc të konkurseve ndërkombëtare të zhvilluara nga Korporata Shqiptare e Investimeve.

“Bashkë me këtë konkurs jemi në 15 konkurse të realizuara ndërkombëtare, kemi 3 konkurse që janë duke u përgatitur. Të gjitha konkurset janë të standardeve më të larta ndërkombëtare jo vetëm për nga pjesëmarrja e arkitektëve, ndër më të mirënjohurit e botës së sotme dhe as vetëm për nga përbërja e jurive ndërkombëtare, por edhe për nga procedurat e ndjekura”, u shpreh Rama.

Sipas tij, aktualisht janë 12 kontrata të lidhura dhe 7 kontrata të tjera në proces, ndërsa janë 3 masterplane dhe 20 objekte publike në zhvillim.

“Gjithë thelbi i aktivitetit të Korporatës Shqiptare të Investimeve është që duke vënë në dispozicion prona shtetërore të degraduara ose në nevojë për zhvillim të marrë mbrapsht përfitueshmërinë e lartë financiare dhe nga pikëpamja e hapësirës në funksion të publikut, në funksion të nevojave të institucioneve publike”, deklaroi Rama.

“Përfitueshmëria e KISH nga kjo fazë e parë e punës së saj është e kuantifikuar bazuar në kontratat e lidhura me vlerë 523 milionë euro, pra mbi gjysmë miliard euro janë të kuantifikuara në përfitimin direkt të shtetit nga ky aktivitet, ndërkohë që përfitueshmëria ekonomike e kontraktuar është mbi 1 miliard euro”, tha Rama.

Ai shtoi se sipërfaqja e tokës së vënë në dispozicion deri tani është 46,700 m2, ndërsa sipërfaqja e përfituar për nevojat e shtetit dhe institucioneve publike arrin në 267 mijë m2.

“Patjetër janë 355 mijë m2 të përfituara nga sipërmarrja, pra është një partneritet me sipërmarrjen ku shteti adreson nevojat e veta”, u shpreh Rama

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër