Dhoma e Përfaqësuesve miraton rezolutën për ndalimin e veprimeve ushtarake ndaj Iranit

Nga D. V.
830 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 04 qershor, Zhurnal.mk – Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi dje një rezolutë mbi kompetencat e luftës, e cila synon të detyrojë presidentin Donald Trump të tërheqë forcat amerikane, nga çdo përfshirje ushtarake kundër Iranit, duke rritur presionin politik ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Rezoluta përcakton se çdo veprim ushtarak kundër Iranit duhet të autorizohet nga Kongresi ose të shoqërohet me një shpallje formale lufte.

Përjashtim bëjnë operacionet e nevojshme për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose të aleatëve të tyre, nga sulme të afërta dhe të pashmangshme.

Masa u miratua me 215 vota pro dhe 208 kundër, pasi katër ligjvënës republikanë iu bashkuan demokratëve për të siguruar kalimin e rezolutës.

Megjithëse rezoluta nuk sjell pasoja të menjëhershme për politikën amerikane ndaj Iranit, ajo pasqyron rritjen e presionit politik ndaj Trump, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të mesmandatit për Kongresin, që pritet të mbahen pas pesë muajsh.

Një numër gjithnjë e më i madh republikanësh po shprehin publikisht kundërshtimin ndaj strategjisë së presidentit Trump për luftën me Iranin.

Aktualisht është në fuqi një armëpushim në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa po zhvillohen negociata për një marrëveshje kornizë, që do t’i jepte fund përplasjes. Megjithatë, të dyja palët kanë shkëmbyer sulme edhe gjatë ditëve të fundit.

Rezoluta duhet të miratohet edhe nga Senati, dhoma tjetër e Kongresit.

Edhe nëse kalon aty, presidenti ka të drejtën e vetos. Për të rrëzuar një veto presidenciale nevojitet një shumicë prej dy të tretash në të dyja dhomat, një skenar që konsiderohet pak i mundshëm.

Rreth dy javë më parë, edhe Senati amerikan votoi për forcimin e mbikëqyrjes së veprimeve ushtarake ndaj Iranit, me mbështetjen e katër senatorëve republikanë që dolën kundër qëndrimit zyrtar të partisë së tyre.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër