Bruksel, 04 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian ka nisur përgatitjet për hapjen zyrtare të grupkapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, duke rritur shpresat për përparim, pas një bllokimi që zgjati rreth dy vjet.
Qipro, e cila mban presidencën e radhës të BE-së, njoftoi dje se faza e parë e negociatave mund të hapet më 15 qershor, në kuadër të takimit të ministrave të BE-së në Luksemburg.
Megjithëse Bashkimi Evropian hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Ukraine dhe Moldavia në qershor të vitit 2024, nisja e negociatave konkrete me Ukrainën u bllokua nga vetoja e Hungarisë.
Procesi rifitoi vrull pas humbjes në zgjedhje të ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orban.
Pasardhësi i tij, Peter Magyar njoftoi dje se Hungaria dhe Ukraina, kanë arritur një marrëveshje për forcimin e të drejtave të pakicës hungareze në Ukrainë, një kusht kyç për mbështetjen e Budapestit ndaj procesit të anëtarësimit.
Grupkapitulli i parë i negociatave përqendrohet te çështjet themelore, përfshirë shtetin e së drejtës, reformën në drejtësi dhe standardet e administratës publike.
Negociatat për anëtarësim në BE, zakonisht janë procese të gjata që mund të zgjasin me vite.
Ato ndahen në gjashtë grupkapituj tematikë dhe nuk garantojnë automatikisht anëtarësimin e vendit kandidat.
Një shembull i tillë është Turqia, negociatat e së cilës me BE-në nisën në vitin 2005, por prej vitesh janë praktikisht të ngrira, për shkak të shqetësimeve lidhur me demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat themelore.
