Zelensky i propozon Putinit bisedime të drejtpërdrejta për paqen

Nga D. V.
872 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kiev, 05 qershor, Zhurnal.mk – Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka propozuar homologut rus, Vladimir Putin, bisedime të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftës, përmes një letre të hapur të publikuar dje, në një kohë kur përpjekjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja për arritjen e paqes kanë ngecur.

“Ukraina propozon t’i japë fund kësaj lufte përmes angazhimit të drejtpërdrejtë mes nesh. Po propozoj një takim”, shkroi Zelensky, duke theksuar se të dy liderët duhet të diskutojnë personalisht, çështjet kryesore të konfliktit.

Presidenti ukrainas përjashtoi si Kievin ashtu edhe Moskën si vende për takimin, duke sugjeruar si alternativa Zvicrën, Turqinë ose një shtet arab.

Nga ana e tij, Putini deklaroi se është “i gatshëm të arrijë një marrëveshje me Ukrainën”, por përsëriti kërkesën që Rusia të marrë kontrollin e plotë të rajoneve lindore të Donetskut dhe Luhanskut, një kusht që Kievi e ka refuzuar, kategorikisht.

Si hap të parë drejt paqes, Zelensky propozoi një armëpushim përgjatë vijës aktuale të frontit, i cili do të monitorohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai sugjeroi gjithashtu një shkëmbim të plotë të të burgosurve të luftës dhe kthimin e civilëve dhe fëmijëve ukrainas që, sipas Kievit, janë dërguar në Rusi gjatë luftës.

Zelensky kërkoi gjithashtu që përfaqësues të Evropës dhe SHBA-së, të marrin pjesë në negociata dhe të shërbejnë si garantues të çdo marrëveshjeje të mundshme.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov nuk komentoi drejtpërdrejt për përmbajtjen e letrës, por tha se Putini ka deklaruar më parë se Zelensky mund të shkojë në Moskë nëse dëshiron të bisedojë.

Në Uashington, presidenti amerikan Donald Trump tha se do të mirëpriste një takim mes Putinit dhe Zelensky.

Propozimi vjen në një moment, kur vëmendja diplomatike e SHBA-së është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt krizës me Iranin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi muajin e kaluar se negociatat për Ukrainën janë kthyer në “një cikël të pafund takimesh që nuk çojnë askund”.

Duke iu referuar kësaj situate, Zelensky theksoi se nuk do të ishte e drejtë, që Ukraina të priste, derisa lufta në Evropë të rikthehej sërish, në qendër të vëmendjes së Uashingtonit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër