Të ardhurat buxhetore u rritën me 11,7%, 302 milionë euro më shumë se një vit më parë

Nga D. V.
764 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 05 qershor, Zhurnal.mk – Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se të ardhurat buxhetore gjatë katërmujorit të parë të vitit shënuan rritje të konsiderueshme, duke reflektuar forcimin e bazës ekonomike të vendit, zgjerimin e aktivitetit ekonomik dhe përmirësimin e administrimit fiskal.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj bëri të ditur se vlera e të ardhurave buxhetore arriti në 275,8 miliardë lekë.

“Këto të ardhura shënuan rritje dyshifrore me 11,7% krahasuar me të njëjtin katërmujor të vitit të mëparshëm. Ose, e thënë ndryshe, të ardhurat e realizuara janë 302 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Ky është një sinjal i fortë sa i përket forcimit të bazës ekonomike të vendit”, u shpreh ministri.

Sipas tij, edhe të ardhurat tatimore dhe doganore kanë vijuar trendin pozitiv gjatë kësaj periudhe.

“Përgjatë katërmujorit të parë të vitit, të ardhurat totale tatimore dhe doganore kapin shifrën 172,7 miliardë lekë. Edhe këtu kemi një rritje me 8,8 miliardë lekë më shumë sesa katërmujori i vitit 2025”, tha Malaj.

Ministri theksoi se rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore është tregues i zgjerimit të aktivitetit ekonomik dhe i eficiencës më të lartë të administratës fiskale.

“Rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore tregon se bizneset janë duke gjeneruar gjithnjë e më shumë aktivitet ekonomik, por nga ana tjetër kemi edhe një administrim më të mirë tatimor dhe doganor. Kjo falë edhe implementimit më të thelluar të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave”, deklaroi ai.

Malaj u ndal gjithashtu te ecuria e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat sipas tij kanë shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.

“Në të njëjtin trend rritës ishin edhe të ardhurat e realizuara nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, me 12,5% më shumë të ardhura të mbledhura krahasuar me të njëjtin katërmujor të vitit të mëparshëm”, tha ministri.

Sipas tij, në total të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arritën në 66,8 miliardë lekë.

“Në total, të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore kapin vlerën e 66,8 miliardë lekëve, me një rritje prej 7,4 miliardë lekësh më shumë sesa në vitin 2025”, u shpreh Malaj.

Ministri vlerësoi se kjo ecuri pozitive lidhet drejtpërdrejt me zgjerimin e punësimit dhe rritjen e pagave në ekonomi.

“Kjo rritje është një tregues i zgjerimit të punësimit, por nga ana tjetër edhe i rritjes së pagave reale në të gjithë sektorët e ekonomisë”, tha ai.

Sipas Malajt, rritja e kontributeve në skemat e sigurimeve përkthehet në më shumë mbrojtje sociale për qytetarët dhe në një qëndrueshmëri më të madhe financiare të sistemit.

“Një rritje e të ardhurave në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore përkthehet pa diskutim në më shumë siguri sociale për qytetarët, por edhe në një qëndrueshmëri më të lartë të skemës së sigurimeve”, deklaroi ministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër