Tiranë, 05 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama u prit sot nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović në kuadër të punimeve të samitit BE-Ballkani Perëndimor, që u zhvillua sot në Tivat.
Samiti ka mbledhur liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit europian të rajonit.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale momente nga realizimi i fotos familjare, e cila përmbylli edhe punimet e samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Takimi u zhvillua gjashtë muaj pas samitit të fundit të mbajtur në Bruksel dhe u kryesua nga Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa. Në samit morën pjesë gjithashtu presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Nën temën “Prosperiteti i Përbashkët dhe Stabiliteti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, liderët diskutuan mbi ecurinë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian, integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun dhe politikat e BE-së, si dhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Programi i samitit nisi me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes të organizuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović. Më pas u zhvillua seanca plenare e samitit, ku liderët shkëmbyen pikëpamje mbi prioritetet e përbashkëta europiane dhe rajonale.
Samiti shërben gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni dhe Europa, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Takimi në Tivat u zhvillua në kuadër të zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Europian 2024–2029 dhe konfirmon rëndësinë që Bashkimi Europian i kushton perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.
