Prishtinë, 5 qershor Zhurnal.mk – Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, duke hapur rrugën për fillimin e procesit të mbështetjes së fermerëve përmes skemave të pagesave direkte për vitin e ardhshëm.
Sipas Ministrisë, me këtë udhëzim Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë obligohet të hapë thirrjen për aplikim, ndërsa pagesat do të realizohen pas procesit të verifikimit sipas afateve të përcaktuara.
Udhëzimi sjell rritje të konsiderueshme të mbështetjes për disa sektorë prioritarë të bujqësisë. Mbështetja rritet me 30 për qind për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur dhe në serra, si dhe për pemëtarinë.
Po ashtu, rritje prej 20 për qind është paraparë për pagesat e grurit me rendiment të lartë, për kultivimin e mjedrës, patates dhe fasules, si dhe për mbështetjen e mëshqerrave për riprodhim dhe viçave për majmëri.
Sipas paketës së re, subvencionet për vreshtat rriten me 10 për qind, ndërsa fermerët e sektorit të qumështit do të përfitojnë 7 centë për çdo litër qumësht të dorëzuar.
Paketa përfshin gjithashtu:
100 euro shtesë për fermerët që kultivojnë hektarin e parë;
100 euro për hektar për plehun artificial;
54 euro për hektar për naftën;
500 euro mbështetje për të rinjtë e moshës 18 deri në 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.
Muja tha se paketa synon të forcojë prodhimin vendor dhe sigurinë ushqimore në vend.
“Me subvencionet e vitit 2026 po orientojmë më shumë mbështetje aty ku ka më shumë prodhim, më shumë vlerë të shtuar dhe më shumë potencial për zhvillim. Qëllimi ynë është të fuqizojmë fermerin aktiv, të rrisim konkurrueshmërinë e bujqësisë sonë dhe të krijojmë kushte më të mira për prodhim vendor e zhvillim rural”, ka deklaruar ai.
Sipas ministrit në detyrë, një nga risitë kryesore të këtij udhëzimi është konceptimi i tij si një kornizë afatgjatë, në përputhje me praktikat e Bashkimit Evropian.
Ai theksoi se kjo qasje do të mundësojë hapjen më të hershme të thirrjeve për aplikim në vitet e ardhshme dhe harmonizimin e tyre me kalendarin e punëve bujqësore, duke u ofruar fermerëve më shumë siguri për planifikimin e prodhimit dhe investimeve.
