Hamburg, 6 qershor Zhurnal.mk – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Reçicën e Vogël dhe mërgatën shqiptare në Gjermani. Admir Jusufi, 22 vjeç, ka humbur jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti me motoçikletë me katër rrota (ATV), që ndodhi në Gjermani.
Sipas informacioneve të para, i riu pësoi lëndime të rënda nga aksidenti dhe, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Lajmi për vdekjen e tij është pritur me pikëllim të thellë nga familjarët, miqtë dhe bashkëqytetarët e tij. Në rrjetet sociale, të afërm dhe shokë kanë ndarë mesazhe prekëse ngushëllimi, duke e kujtuar Admirin si një djalë të sjellshëm, punëtor dhe me zemër të madhe.
Humbja e parakohshme e 22-vjeçarit ka lënë një boshllëk të madh te të gjithë ata që e njohën dhe e deshën.
Familjes Jusufi i shprehim ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë, ndërsa të ndjerit i urojmë prehje të përjetshme.
