Riga, 08 qershor, Zhurnal.mk – Avionë luftarakë të NATO-s rrëzuan sot një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë nga territori i Rusisë, njoftoi ushtria letoneze, sipas Reuters.
Incidenti është më i fundit në një seri ngjarjesh të sigurisë përgjatë kufijve lindorë të Evropës, në sfondin e luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende origjinën e dronit. Ushtria letoneze bëri të ditur në rrjetin social X se avionët aleatë të NATO-s e neutralizuan me sukses mjetin fluturues pasi ai hyri në hapësirën ajrore të vendit.
Më herët gjatë ditës, autoritetet kishin paralajmëruar banorët e rajoneve lindore të Letonisë që të qëndronin brenda ndërtesave për shkak të kërcënimit të mundshëm. Alarmi u hoq pasi droni u rrëzua.
Muajt e fundit, Ukraine ka shtuar sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në Rusi. Disa prej këtyre dronëve ushtarakë kanë devijuar nga kursi dhe kanë hyrë në hapësirat ajrore të vendeve fqinje, përfshirë Letoninë, Finlandën, Lituaninë dhe Estoninë.
Ngjarje të tilla kanë shtuar shqetësimet se lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s në krahun verior dhe lindor të aleancës. Muajin e kaluar, një avion ushtarak i NATO-s rrëzoi një dron që dyshohej se ishte ukrainas mbi territorin e Estonisë.
Incidenti i fundit pritet të rrisë më tej vigjilencën e NATO-s përgjatë kufijve me Rusinë, ndërsa aleanca vazhdon të monitorojë nga afër zhvillimet e sigurisë në rajonin e Baltikut.
