Shkup, 8 qershor, Zhurnal.mk – Panairi i Librit Shqip “Shkupi 2026”, i cili u zhvillua nga data 4-7 qershor në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit, u shndërrua në qendrën e librit dhe kulturës shqiptare, transmeton Zhurnal.
Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese, autorë, studiues dhe dashamirës të librit nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Gjatë katër ditëve u zhvilluan promovime librash, bashkëbisedime letrare, aktivitete kulturore dhe takime me emra të njohur të letërsisë shqipe.
Në një atmosferë festive u ndanë çmimet vlerësuese të Panairit të Librit Shqip “Shkupi 2026”, ku çmimi “Proza më e mirë – 2025” iu dha shkrimtarit Namik Dokle, për romanin “Asnjë trokitje në qiell” (Botimet Toena).
Çmimi “Poezia më e mirë – 2025” iu dha poetit Resul Shabani për vëllimin poetik “Ëndërr e falur” (Botimet Onufri).
Çmimi “Studimi më i mirë – 2025” iu dha studiuesit Kujtim Shala për “Epi i shqiptarëve” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë).
Çmimi “Përkthimi më i mirë – 2025” iu dha përkthyeses Ana Kove për përkthimin e veprës së Herman Hesse në gjuhën shqipe (Botimet Dukagjini).
Çmimi “Libri më i mirë për fëmijë” iu dha shkrimtares Rovena Rrozhani për librin “Sekreti i fshehur në libra” (Botimet Mediaprint).
“Çmimi i karrierës” iu dha shkrimtarit & botuesit Abdullah Zeneli.
“Çmimi special” iu dha poetes Linditë Ahmeti (pas vdekjes).
Juria e këtij edicioni përbëhej nga akademiku Ali Aliu, Arta Marku dhe Behar Gjoka.
