Shkup, 8 qershor, Zhurnal.mk – Diskoteka “Pulse”, por edhe objekte të tjera në qytetin e Koçanit, nuk kanë qenë të përfshira në planet e mbikëqyrjes së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, u theksua në vazhdimin e gjyqit për zjarrin në këtë diskotekë. Në seancën e sotme u prezantuan planet për kontrolle tremujore, programet vjetore dhe dokumente zyrtare të Drejtorisë, të nënshkruara me emrin e Shaban Saliut, i cili nga viti 2012 deri në 2017 ka qenë drejtor i institucionit, raporton Nezavisen, transmeton Zhurnal.
Saliu reagoi duke thënë se një pjesë e nënshkrimeve në dokumente nuk janë të tijat, edhe pse figuron emri i tij si drejtor.
Prokuroria theksoi se në vitin 2015 Koçani nuk kishte inspektor të caktuar, gjë që shihet edhe nga provat për programet vjetore dhe shpërndarjen e inspektorëve. Megjithatë, në atë vit inspektorë nga Shkupi kryen mbikëqyrje vetëm mbi një subjekt juridik me rrezik të ulët, gjë që prokuroria e vlerësoi si selektive.
Në pjesën e objekteve të shërbimeve, programi për vitet 2012–2014 parashikonte mbikëqyrje mbi hotele, restorante dhe motele më të mëdha, por kafenetë dhe diskotekat sërish nuk ishin të përfshira.
Aleksandar Naunov nga shoqata “16 Mars” vlerësoi se seanca e sotme hapi pyetje edhe më serioze:
“Sot në gjykatë dëgjuam mbrojtjen se një pjesë e nënshkrimeve nuk ishin të të pandehurit. Edhe pse në dokumente figuron emri i tij si drejtor, mbeti përshtypja se pyetja më e madhe nuk është kush e drejtonte institucionin, por kush e mbante stilolapsin.”
Ai shtoi se nëse dikush tjetër ka nënshkruar në vend të drejtorit, kjo tregon për mangësi sistemike:
“Nëse dikush ka mundur të vendosë nënshkrim të huaj, të kalojnë plane dhe raporte pa dijeninë e drejtuesit, atëherë pyetja është ku ka qenë kontrolli. Funksioni i drejtorit nuk është vetëm një emër në dokument, ai sjell përgjegjësi për gjithçka që del nga institucioni.”
Sipas tij, publiku me të drejtë pyet se i kujt ka qenë nënshkrimi, kush e ka lejuar këtë dhe si ka mundur të vazhdojë një praktikë e tillë për vite me radhë.
Në zjarrin që shpërtheu më 16 mars 2025 në diskotekën “Pulse” në Koçani humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën, një pjesë me djegie të rënda. Ngjarja shkaktoi reagim të gjerë publik dhe hapi pyetje për standardet e sigurisë, mbikëqyrjet inspektuese dhe zbatimin e rregulloreve për funksionimin e objekteve të shërbimeve.
